Para organizimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që pritet të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm në Maqedoninë e Veriut, partitë politike kanë intensifikuar më shumë zhvillime që në fokus kanë rolin e grave në proceset politike.
Por, aktivistet për të drejtat e grave thonë se politikanët meshkuj këtë e bëjnë sa për "sy e faqe" për të plotësuar normat ligjore, por realisht ata janë larg demonstrimit të vullnetit për të ndarë pushtetin me gratë dhe aq më pak të vendosin që pozitat udhëheqëse t'i lënë në duart e grave.
Gratë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për dallim nga viti 1991 në përbërjen e parë parlamentare kur ishin të përfaqësuar me tre ulëse tani janë të përfaqësuara me 48 ulëse kundrejt 120 sa ka gjithsej institucioni ligjvënës, duke përmbushur kështu kuotën ligjore prej 40 për qind.
Pjesë e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor që janë në procedurë parlamentare është dhe propozimi për barazi gjinore që parasheh balansin gjinor prej 50 për qind.
“Përfaqësimi i grave me 50 për qind do të kontribuojë në demokratizimin e Kuvendit, do të kontribuojë në cilësinë e debatit dhe shumë çështje të tjera”, ka theksuar deputetja Liljana Popovcka.
Mirjana Najcevska, ish-kryetare e Komitetit të Helsinkit, për Radion Evropa e Lirë thotë se balansi gjinor veçanërisht në institucionin ligjvënës është më se i rëndësishëm për shkak se në këtë mënyrë zhbëhet stereotipi se shteti duhet udhëhequr nga burrat.
“Në këtë mënyrë gratë kanë mundësi të përfshihen dhe të kenë një rol të rëndësishëm si në ndërtimin ashtu dhe në formulimin e zgjidhjeve politikave që janë me interes të veçantë për gratë, por jo vetëm”, thotë Najçevska
Nga ana tjetër, Arta Selmani-Bakiu, ligjëruese në Fakultetin Juridik në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, për Radion Evropa e lirë thotë se në aspektin juridik gratë janë të barabarta në çdo pore të shoqërisë megjithatë thekson se dallimi është shumë i madh mes pjesëmarrjes së grave në politikë këtu dhe vendet e BE-së.
“Një grua politikane e aftë dhe e përkushtuar ndaj aktivitetit të saj, në Maqedoninë e Veriut e ka shumë më të vështirë të realizojë idealet e saja sesa një grua politikane p.sh në vendet skandinave, kjo për arsye të mbisundimit të mentalitetit patriarkal dhe veprimit të normave zakonore".
"Mosfunksionimi i sistemit të meritokracisë gjithsesi nuk mundet t’i mëveshët vetëm përkatësisë gjinore apo asaj etnike, moszbatimi i këtij standardi është problem më gjithëpërfshirës, mirëpo përskaj shumë vështirësive, problemi qëndron edhe tek mjedisi politik dhe ai publik në të cilin duhet të veprojnë gratë në RMV”, thotë Arta Semnai Bakiu duke nënvizuar se duhet krijuar opinion publik përmes mediave dhe sektorit civil që drejtimi i institucioneve dhe pozitave vendimmarrëse mos shihet me skepticizëm nëse u besohen grave.
“Gruaja në vendin tonë nuk duhet të insistojë të përballet me burrat, por duhet të shikojë veten në të njëjtin nivel me ta dhe të imponojë rolin bashkëpunues. Këtë ka guxim ta bëjë gruaja sepse vetëm ajo me këmbëngulje i përkushtohet idesë dhe punës që ka në plan ta realizojë. Unë sinqerisht fascinohem ndaj veprimit politik të një gruaje në RMV, pikërisht për shkak të energjisë së saj për tu përballur me një rreth jo shumë të përgatitur për t'i pranuar gratë si të barabarta”, thotë Selmani.
Aktivistet për të drejtat e grave thonë se është e diskutueshme roli i femrës dhe brenda partive politike.