Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka ftuar sërish në takim liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, disa orë pasi partia e Kurtit tha se ai nuk mund të marrë pjesë në takimin e parë që e kishte ftuar presidenti, për të premten në ora 13:30.
Përmes një postimi në Twitter, presidenti Hashim Thaçi, tha se “ai (Albin Kurti) nuk u paraqit në zyren time siç pritej. Sidoqoftë, shumë shpejt do të pasojë një ftesë e re. Unë përsëri u bëj thirrje të gjithëve të mos vonojnë formimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës. Populli dhe aleatët tanë presin më shumë”, ka shkruar Thaçi.
Në letrën të cilën e ka parë Radio Evropa e Lirë, presidenti Thaçi, e ka caktuar takimin për të premten në ora 20-të.
Duke iu përgjigjur ftesës së parë të dërguar nga presidenti Thaçi, Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar Kurti nuk do të takohet të premten me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
“Kryetari Kurti e ka sot të pamundur ta takoj Presidentin, meqenëse ndodhet jashtë Prishtinës. Ai do ta njoftojë së shpejti Presidentin për ditët e orët e mundshme të takimit”, ka konfirmuar VV-ja për Radion Evropa e Lirë.
Pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, bazuar në nenin 95 të Kushtetutës, i cili parasheh formën e zgjedhjes së qeverisë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pritet që në konsultim me partinë politike që ka fituar shumicën e nevojshme në kuvend, në këtë rast Lëvizjen Vetëvendosje, t’i propozojë kuvendit kandidatin për kryeministër.
Nga ai moment, do të nisë rrjedhja e afatit prej 15 ditësh për formimin e qeverisë së re të vendit.