Mesha e Krishtlindjes - thirrje për krijimin e institucioneve të reja të Kosovës

Your browser doesn’t support HTML5

Mesha e Krishtlindjes

Në Katedralen “Nëna Tereza” në Prishtinë është mbajtur mesha e Krishtlindjes, e cila u përcoll me mesazhe për dashuri dhe paqe, por me theks të veçantë u përmend krijimi i institucioneve të reja të Kosovës.

Mesha e Krishtlindjes u udhëhoq nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji. i cili tha se të gjithë njerëzit pa dallim feje duhet të fokusohen në paqe të përhershme në mes tyre.

“Nuk do të kishim konflikte e mosmarrëveshje me njëri tjetrin e as mes atyre që bartin përgjegjësi publike ose pushtete politike. Po ashtu nuk do të shihnim se si rrezikohet fati i popullit dhe si frenohet vullneti i qytetarëve duke e zvarritur dialogun. Por, tashmë do t’i kishim institucionet e shtetit, e do t’i shihnim duke dialoguar e duke bashkëpunuar dhe duke bashkëndarë përgjegjësitë për një jetë më të mirë të njerëzve dhe një të ardhme me të mirë të vendit“, u shpreh Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji.

Ipeshkvi Gjergji, në mesazhin e tij në meshën e Krishtlindjes përmendi edhe viktimat e tërmetit të 26 nëntorit në Shqipëri.

“Nuk mundem të mos i kujtoj në këtë natë, të gjithë ata shpirtra të cilëve u ndërpreu jetën tërmeti në Shqipëri. Ata të plagosur që ende lëngojnë nga plagët e marra, atë trishtim dhe ato lotë të fëmijëve, të burrave dhe të grave, dhe gjitha ato familje të mbetura pa strehë edhe në këtë natë të madhe të lindjes së Krishtit”, tha Gjergji.

Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji ftoi shtetet e Evropës që të jenë më të drejtë në raport me shqiptarët dhe që të kenë më shumë besim tek ta.

Shumë qytetarë nga rajone të ndryshme të Kosovës kanë marrë pjesë në meshën kryesore.

Mesha e Krishtlindjes

Krishtlindjen e uruan edhe përfaqësuesit politik të Kosovës.

Presidenti i Kosvës, Hashim Thaçi i uroi besimtarët krishterë për festën e Krishtlindjes me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook duke bërë thirrje për solidaritet dhe humanizëm në mes të njerëzve.

“Të gjithë besimtarëve të krishterë ua uroj Kërshëndellat, duke ju dëshiruar shëndet, lumturi dhe shumë gëzime në familjet e tyre. Në këtë natë të bekuar të ripërtërijmë vlerat njerëzore dhe shpirtërore, duke rritur mirëbesimin, solidaritetin dhe humanizmin me njëri-tjetrin”, ka shkruar presidenti Thaçi.

Ndërsa, kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj u ka uruar gjithë besimtarëve të krishterë harmoni dhe paqe.

“Sonte, sipas traditës, në mesin e shumë miqve, në pritjen solemne në Qendrën “Bogdanipolis”, nën Katedralen Shën Nënë Tereza Prishtinë, organizuar nga ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, me rastin e Festës së Krishtlindjes, për të ndarë bashkë, gëzimin dhe urimet me të gjithë besimtarët katolik!”, ka shkruar Haradinaj.

Krishtlindja është festa më e rëndësishme në kalendarin e festave të krishtera dhe festohet çdo vit në natën mes 24 dhe 25 dhjetorit.