Qeveria e Kosovës, qoftë ajo në largim apo qeveria e re nëse formohet, më 17 janar pritet të përballet në një seancë dëgjimore me Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë në Vjenë lidhur me procedurat e zbatuara për projektin e termocentralit “Kosova e Re”.
Qeveria në largim e Kosovës, thotë se ka argumente që të përballet me Sekretariatin e Komunitetit për Energji në lidhje me dyshimet e ngritura për paligjshmëri rreth ndihmës shtetërore për realizimin e projektit të termocentralit “Kosova e Re”.
Në një njoftim publik, Sekretariati ka bërë të ditur se ka zbuluar disa masa të paligjshme në marrëveshjen komerciale të nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë amerikane “Contour Global”.
“Pagesat për energjinë dhe disponueshmërinë mbi 20 vjet në bazë të marrëveshjes për blerjen e energjisë, shitjen dhe transferimin e vendit ku do të ndërtohet termocentrali ishin nën vlerën e tregut”, thuhet në njoftimin e Sekretariatit të Komunitetit për Energji. “Këto masa nuk janë njoftuar tek autoritetet si ndihmë shtetërore dhe për këtë arsye përbëjnë ndihmë të paligjshme shtetërore”, thekson Sekretariati.
SHIKONI EDHE: Rreth 20 milionë euro ndëshkim nëse nuk zbatohet kontrata për TC “Kosova e Re”Ministri në largim i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka, thotë për Radion Evropa e Lirë, se janë të bindur se në marrëveshjen për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” nuk ka shkelje të legjislacionit. Ai thotë se në takimin që pritet të mbahet në janar do të dëgjohen argumentet e të dy palëve.
“Ne i kemi argumentet tona nga ana jonë përmes ekspertëve të ndryshëm që kemi bërë një prezantim të detajuar të argumenteve të cilat e dëshmojnë që nuk ka ndihmë shtetërore. Është dërguar në Sekretariat më herët dhe kemi kërkuar që të diskutojmë me ta në detaje, por tani është koha që Sekretariati e ka filluar këtë procedurë dhe ne, më 17 janar, e kemi një ditë dëgjimore ku do të dëgjohen argumentet tonë lidhur me ankesën e Sekretariatit dhe aty e shohim cilat janë shkeljet e drejtpërdrejta”, tha Lluka.
Ministri në largim, Lluka, shton se argumentet e qeverisë janë në favor dhe nuk ka hapësirë për ndonjë shqetësim.
Qeveria e Kosovës ka nënshkruar në fund të vitit 2017 marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane “Contour Global”, për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet 500 megavat, i cili do të kushtojë 1.3 miliard euro.
Ky projekt përfaqëson investimin më të madh të huaj në Kosovë.
Në bazë të marrëveshjes Qeveria e Kosovës jep një garanci shtetërore për pakon financiare për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, por që si i tillë ky garancion kërkon 2/3 e votave të deputetëve të Kosovës.
Lluka thotë se ky është një model që është bazuar në modelet e mëparshme që kanë bërë edhe vendet tjera dhe se, sipas tij, kjo ka qenë edhe forma e vetme për të arritur një kontratë komerciale me kompaninë “Contour Global” për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.
Shoqëria civile kërkon ndërprerjen e kontratës
Përfaqësues të shoqërisë civile në vazhdimësi kanë kundërshtuar kontratën e nënshkruar për ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re”.
Dardan Abazi, hulumtues i lartë në Institutin për Politika Zhvillimore (INDP) thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo kontratë është e paligjshme dhe dëmton Kosovën në shumë fusha.
“Kontrata me Conour Global për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’ ka shkelur që nga fillimi legjislacionin vendor për ndihmën shtetërore, ka dëmtuar konkurrencën e lirë në treg dhe nëse kjo kontratë jetësohet nuk do të kemi fare liberalizim të tregut, por do të kemi dominim të vetëm njërit nga operatorët privat në treg i cili do të gëzojë të gjitha privilegjet e shtetit e të tjerët do të jenë të dëmtuar karshi tij”, thotë Abazi.
*Video nga arkivi: Ndërtimi i Termocentralit "Kosova e Re"
Abazi dhe përfaqësues tjerë nga shoqëria civile, i kanë bërë thirrje edhe qeverisë në ardhje të Kosovës (partive në negociata LVV dhe LDK) që të tërhiqen nga kjo kontratë dhe menjëherë të ndërpresin procedurat për ndërtimin e termocentralit , pasi që sipas Abazit, një kontratë e tillë, do të zhysë në borxhe shtetin dhe do të izolojë nga integrimi i mëtutjeshëm.
“Është hapi i fundit, është mundësia e fundit që Qeveria e Kosovës të reflektojë dhe të shoh një gabim që ka bërë dhe të përmirësojë atë duke u tërhequr nga kjo kontratë duke i hapur rrugë investimeve të nevojshme në tregun e energjisë, por ato investime të jenë duke respektuar konkurrencën e lirë në treg, duke mbrojtur mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve dhe duke mbrojtur xhepin tonë në fund të ditës”, thotë Abazi.
SHIKONI EDHE: Alternativat e Termocentralit “Kosova e Re”Sipas njoftimit publik të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë me bazë në Vjenë, Kosova ka mundësinë që brenda dy muajve të reagojë lidhur me pretendimet për mosrespektim e Ligjit të komunitetit të energjisë dhe t’i jap detaje Sekretariatit se çfarë ka ndodhur me Termocentralin “Kosova e Re”.
Termocentrali “Kosova e Re”, ishte paraparë të fillojë së ndërtuari këtë vit, ndërsa të vihet në punë në vitin 2023. Jetëgjatësia e Termocentralit "Kosova e Re" është llogaritur të jetë 40 vjet.
Kosova ka më shumë se 10 miliardë tonë linjit dhe si i tillë, është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij resursi, por me gjithë pasurinë e linjitit, Kosova vazhdon të përballet me mungesë të energjisë elektrike.