Buxheti i Maqedonisë së Veriut për vitin 2020 i cili u votua të dielën me 67 vota nga 120 deputetë, në fokus ka krijimin e kushteve për një sistem më të mirë shëndetësor, arsimor dhe social dhe mbështetjen e fuqishme për rritjen e sektorit real si dhe investime në kapitalin njerëzor.
Ekspertët e ekonomisë, duke komentuar projeksionin e buxhetit të Maqedonisë së Veriut për vitin 2020 në vlerë prej 3.9 miliardë euro, thonë se arka e shtetit gjatë viteve zgjedhore po shndërrohet në një “shportë" që siguron dhurata për grupe të caktuara për të joshur elektoratin dhe shumë pak është e fokusuar në kapacitetet për realizmin e investimeve kapitale që janë me interes për qytetarët.
Përderisa për socialdemokratët e kryeministrit Zoran Zaev buxheti i shtetit është në harmonizim me rritjen e ekonomisë vendore dhe është në drejtim të stabilitetit fiskal, partia maqedonase në opozitë projeksionin e buxhetit për vitin 2020 e ka cilësuar si jozhvillimor që dhe si i tillë synon blerjen e qytetarëve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në pranverën e ardhshme.
SHIKONI EDHE: Rishikimi i buxhetit shkurton investimet kapitale për 50 milionë euro“Investojmë në kapitalin njerëzor" është motoja e buxhetit të vitit 2020 pasi kapitali njerëzor është më i rëndësishmi për zhvillimin ekonomik të një vendi, ka theksuar ministrja e Financave Nina Angellkovska, duke e arsyetuar projeksionin e buxhetit për vitin 2020.
“Do të investojmë në shëndetësi më të mirë, arsim më të mirë, kujdes social më të mirë, dhe në përgjithësi kushte më të mira për jetën e qytetarëve tanë”, Nina Angellkovska.
Por, ekspertët thonë se fokusi duhet të jetë në vendosjen në ngritjen e cilësisë së shërbimeve në shëndetësi dhe arsim dhe jo pagat të paraqesin ndikimin social për sektorin e shëndetësisë dhe arsimit.
“Nuk shoh asnjë gjë që mund të më tregojë se kapitali njerëzor do të formohet, do të zhvillohet dhe do të menaxhohet në mënyrën e duhur nga institucionet shtetërore me qëllim që paga të vijë si rezultat i këtij zinxhiri dhe jo të vijë si rezultat i politikave sociale për të blerë vota ose për të blerë këtë kategori njerëzish”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Visar Ademi, njohës i çështjeve ekonomike.
Ai si shumë problematike e sheh stagnimin në investimet kapitale.
“Investimet kapitale kanë një stagnim ose kanë një vijë lineare dhe unë këtu habitem se si ka mundësi që qeveria për projekte të cilat janë të lëna në mes të realizimit papërfunduar, edhe pse jemi në vit zgjedhor përsëri lihet anash korridori 8, autostrada Kërçovë-Ohër, nuk duket asnjë informacion për ndërtimin e rrugës Gostivar-Kërçove nuk është se pamë ndonjë investim kapital në hekurudha apo sektorin e energjisë së ripërtëritëshme", tha Ademi.
Nga ana tjetër, Vesna Gavranlieva- Andonova nga Qendra për Analiza Ekonomike, për Radion Evropa e Lirë thotë se investimet kapitale publike vite me radhë shkurtohen përmes rishikimit të buxhetit, për shkak të dështimit të realizmit të tyre.
Andonovska thotë se gjatë projeksionit të buxhetit, autoritetet e vendit duhet të fokusohen në nevojën e përmirësimit të cilësisë së planifikimit të shpenzimeve kapitale në bazë të kapaciteteve për realizimin e tyre, si në nivel qendror ashtu edhe atë lokal.
“Ajo që është shumë e rëndësishme për të pasur realizim efikas të investimeve kapitale është realizmi i planeve afatgjata shumëvjeçare për investimet publike, të shoqëruara me përgatitje të strategjisë së harmonizuar adekuate dhe udhëzim të qartë dhe qasje për prioritete në periudhë më të gjatë. Nevojitet çlirimi i ciklit të projektit nga cikli politik sepse projektet kapitale infrastrukturore kërkojnë cikël projektues dhjetëvjeçar deri në implementim duke shmangur interesat e ngushta partiake të atyre që e drejtojnë shtetin”, thotë Andonovska.
Nga arka e shtetit me buxhetin e vitit të ardhshëm është paraparë që nga 1 janari të rriten pensionet deri në 900 denarë (rreth 15 euro).
Projeksionet e buxhetit për vitin 2020 janë bërë në bazë të rritjes për vitin e ardhshëm prej 3,8% nga Bruto Prodhimi Vendor.