Ligjvënësit britanikë mbështesin planin e Johnsonit për Brexit

Kryeministri britanik, Boris Johnson.

Ligjvënësit britanikë e mbështetën planin e kryeministrit Boris Johnson për daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian, më 31 janar.

Ata votuan me 358 vota për dhe 234 kundër Marrëveshjes së Tërheqjes.

Dokumenti do të kalojë tani për miratim në Dhomën e Lordëve.

Johsnon tha se marrëveshja i mundëson Britanisë “të ecë përpara”.

Udhëheqësi i Laburistëve opozitarë, Jeremy Corbyn, u bëri thirrje ligjvënësve që të votojnë kundër marrëveshjes, duke thënë se ka “mënyra më të mira dhe më të drejta” për të lënë BE-në.

Por, votimi i së premtes shihet si fitore për Johnsonin, i cili i fitoi bindshëm zgjedhjet e përgjithshme të javës së kaluar me premtimin se do ta nxjerrë Britaninë nga BE-ja.

Referendumi për dalje nga blkoku evropian, apo Brexit-in, është mbajtur në vitin 2016.

Por, realizimi i procesit është shtyrë disa herë për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme politike mbi kushtet e divorcit.