Putin: Akuzat ndaj Trumpit "të ëndërruara"

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se procesi i shkarkimit ndaj presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ishte i bazuar në akuza të "ëndërruara".

Duke folur në Moskë, në konferencën e tij vjetore për mediat, Putin tha se pret që Trump të mbetet në detyrë, pavarësisht se Dhoma e Përfaqësuesve votoi pro akuzave ndaj tij.

“Procesi ende duhet të kalojë në Senat ku republikanët me sa di unë e kanë shumicën", tha Putin.

Sipas presidentit rus, "partia që humbi zgjedhjet po e vazhdon luftën me mënyra të tjera". Me këtë ai iu referua Partisë Demokratike në SHBA.

Dhoma, e kontrolluar nga demokratët, votoi për dy akuza kundër tij: abuzim të pushtetit dhe pengim të punës së Kongresit.

Vendimi përfundimtar, për shkarkimin ose jo të presidentit Trump, pritet të merret në Senat.

Putin e krahasoi procesin për shkarkimin e Trumpit, me hetimet e mëparshme ndaj presidentit amerikan, lidhur me pretendimet për bashkëpunim me Rusinë, për të cilat Putin tha se ishin të pabazuara.

Në konferencën për media të cilën e mbulojnë 1,895 gazetarë, Putin tha gjithashtu se Rusia është e gatshme të dakordohet për një traktat të ri të armëve me Shtetet e Bashkuara, por se nuk ka pasur asnjë përgjigje deri më tani, për propozimet ruse, lidhur me këtë çështje.

“Nëse nuk ka një traktat të ri, atëherë nuk do të ketë asgjë në botë që do të ndalë garën e armëve, për të cilën unë mendoj se është gjë e keqe”, tha Putin.

Konferenca televizive është një ngjarje e rregullt e Putinit, të cilën ai e shfrytëzon për të lartësuar imazhin e tij, për të siguruar rusët se ata janë në duar të mira dhe për t’iu dërguar sinjale Shteteve të Bashkuara dhe pjesës tjetër të botës.

Ngjarja po ashtu veçohet për gjatësinë e saj.

Konferenca e vitit 2008 ka shënuar rekord prej katër orësh e 40 minutash.