Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara pritet të votojë sot për fajësimin e presidentit Donald Trump – procedurë që në anglisht njihet si “impeachment”.
Pasi Dhoma kontrollohet nga demokratët – rivalë të presidentit – masa pritet të kalojë dhe t’i hapë rrugë gjykimit të Trumpit në Senat.
Nëse kjo ndodh, Trump do të jetë presidenti i tretë në historinë e Shteteve të Bashkuara që do të përballet me procesin e tillë, që mund të çojë në shkarkim.
SHIKONI EDHE: Demokratët prezantojnë akuzat kundër TrumpitProcedurat me synim shkarkimin e presidentit kanë nisur në shtator nga demokratët, kur është zbuluar se Trump i ka kërkuar homologut ukrainas ta hetojë rivalin e tij politik, Joe Biden.
Biden mund të jetë kundërkandidat i Trumpit në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Trump thuhet se e ka kushtëzuar ndihmën ushtarake për Ukrainën, në këmbim të këtyre hetimeve.
Ai e mohon çdo keqbërje, por kërkimi i ndihmës nga jashtë për të fituar zgjedhjet në SHBA është akt i paligjshëm.
Mbi Trumpin rëndojnë dy akuza: për abuzim të pushtetit dhe për pengim të punës së Kongresit.
Nëse “impeachment”-i kalon në Senat, kjo Dhomë ka pak gjasa që të votojë pastaj për shkarkimin e presidentit, pasi ajo kontrollohet nga Partia e tij Republikane.
“Luftë e hapur ndaj demokracisë amerikane”
Të martën, Trump i dërgoi një letër kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, duke e akuzuar atë për shpallje të “luftës së hapur ndaj demokracisë amerikane”.
"Ju ia keni ulur rëndësinë fjalës shumë të shëmtuar: fajësim", shkroi Trump në letër.
Ai po ashtu tha se atij "i janë mohuar të drejtat më themelore, të parashikuara nga Kushtetuta, përfshirë e drejta për të paraqitur prova".
Presidenti, në fakt, është ftuar publikisht nga kryetari demokrat i Komitetit Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve për të paraqitur prova në procesin e “impeachment”-it, çfarë do t’i lejonte ekipit të tij ligjor të merrte në pyetje edhe dëshmitarët, por ai ka refuzuar.
Udhëheqësi i pakicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, tha të martën se nëse “impeachment” kalon në Senat, çdo senator do të bëjë betimin për “drejtësi të paanshme”.
Gjykimi në Senat – gjithnjë nëse arrin atje – do të nisë më 6 janar.
Presidentët që u përballen me procedura të shkarkimit
Kundër Bill Clintonit kanë nisur procedurat për shkarkim, për shkak të mashtrimit dhe pengimit të drejtësisë, pasi ka gënjyer për natyrën e aferës së tij me Monica Lewinskyn dhe më pas dyshohet se i ka kërkuar edhe asaj të gënjejë.
Por, kur gjykimi ka shkuar në Senat më 1999, votimi për dënim ka dështuar.
SHIKONI EDHE: Si ndodh procesi i shkarkimit të një presidenti amerikan?Presidenti tjetër që është përballur me procedura të shkarkimit, ka qenë Andrew Johnson, më 1868. Ai është akuzuar, mes tjerash, për shkarkimin e sekretarit të tij të luftës kundër vullnetit të Kongresit.
Johnson ka shpëtuar për pak, pasi dy të tretat e votave në Senat nuk janë arritur vetëm për një votë.
Richard Nixon, presidenti i 37-të i Shteteve të Bashkuara, ka dhënë dorëheqje më 1974, përpara se të mund të fajësohej nga Senati për skandalin e Watergate.
Përgatiti: Valona Tela