Opozita maqedonase VMRO DPMNE dhe partia shqiptare në pushtet Bashkimi Demokratik për Integrim kanë dorëzuar më shumë se 6 mijë amendamente për ndryshimet e propozuara në Kodin Zgjedhor , e që kanë të bëjnë me ndryshimin e modelit zgjedhor nga gjashtë në një njësi zgjedhore dhe zgjedhjen e këshilltarëve të komunave me lista të hapura të kandidatëve.
Numrin e madh të amendamenteve, BDI-ja dhe VMRO DPMNE-ja i kanë sjellë me kamionçinë.
Ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë propozim i 15 deputetëve të partive më të vogla dhe të njëjtat mbështeten edhe nga Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisësë Veriut,e cila drejtohet nga kryeministri Zoran Zaev.
SHIKONI EDHE: Taktizimet e partive për ndryshimet në Kodin ZgjedhorDeputetja Liljana Poposka, si propozuese e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor ka theksuar se ndihet e indinjuar nga bllokimi i institucionit ligjvënës përmes propozimit të mijëra amendamenteve.
"Jemi të indinjuar nga bllokimi i ligjeve që kanë të bëjnë me modelin zgjedhor përmes mijëra amendamenteve të propozuara. Dy partitë politike që i kanë dorëzuar amendamentet, thirren në parime dhe nevojën për debat, por në esencë ata dëshmojnë se janë joparimorë dhe kanë sjellje arrogante”, ka thënë Popovska.
Ajo ka theksuar se është joserioze të bllokohet Kuvendi vetëm që të mos kalojnë ndryshimet ligjore për modelin zgjedhor, ndërkohë që tashmë, siç ka thënë Popovska, më shumë se 65 deputetë janë shprehur “për” modelin e një njësie zgjedhore.
Njohësit e çështjeve politike në këtë veprim të dy partive politike, VMRO DPMNE-së dhe BDI-së, shohin tentativë për të stërzgjatur ose bllokuar ndryshimet e propozuara në Kodin Zgjedhor.
“Ka një terminologji në demokracinë evropiane që në gjuhën angleze emërohet si 'stalling' që ka të bëjë me ngadalësimin e procesit gjatë miratimit të ligjeve, pra nuk është diçka që ne e kemi shpikur. Pra, kjo situatë (me paraqitjen e më shumë se 6 mijë amendamenteve) është refleksion i qëndrimeve të mëhershme politike", thotë për Radion Evropa Lirë Albert Musliu nga Instituti për Zhvillimin e Demokracisë, ndërsa shton:
"Edhe gjatë viteve të kaluara kur flitej për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, BDI ishte që të mbeten gjashtë njësi zgjedhore, VMRO DMNE ishte për modelin e shumicës përderisa vetëm LSDM është shprehur për një njësi zgjedhore së cilës ide i janë bashkuar dhe partitë më të vogla, sepse kanë përfitim nga modeli një njësi zgjedhore sepse maksimalizojnë fuqinë e votës dedikuar partive të vogla”.
SHIKONI EDHE: Partitë me mospajtime për sistemin zgjedhor në Maqedoninë e VeriutSipas tij koha e shkurtër lë pak hapësire që partitë politike të arrijnë ujdi rreth tejkalimit të dallimeve, megjithëse shton se është e patjetërsueshme që të balancohet numri i votuesve në 6 njësitë zgjedhore në mënyrë që çdo deputet të ketë afërsisht peshë të njëjtë sa i përket numrit të votuesve.
“Realisht, modeli zgjedhor duhet të pësojë ndryshime në atë margjinën e dallimeve të numrit të votuesve në njësitë zgjedhore që aktualisht është shumë i madh, por çka do të ndodhë, pritet ta shohim”, shton Musliu.
Me ndryshimet e propozuara në Kodin Zgjedhor parashikohet që të bëhet zëvendësimi i kuotës gjinore prej 40 për qind me një numër të barabartë burrash dhe grash në listat e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale.
Ekspertët thonë se kjo dispozitë paraqet një hap të rëndësishëm për demokratizimin e vendit duke krijuar mundësi të barabarta për të dy gjinitë.
Ndryshe, për partinë shqiptare në pushtet, Bashkimin Demokratik për Integrim, ndryshimet e Kodit Zgjedhor që kanë të bëjnë me modelin e një njësie zgjedhore, janë të patolerueshme pa një debat gjithëpërfshirës aq më tepër që për shqiptarët do të thotë zvogëlim i numrit të deputetëve.
"Çdo stimulim, përfshirë edhe ky i fundit që është bërë, tregon që shqiptarët humbin 10 deputetë nga fuqia e përgjithshme e shqiptarëve në këtë Kuvend", ka theksuar deputeti i BDI-së, Artan Grubi.
Përderisa për VMRO DPMNE-në është shumë joserioze të diskutohet për ndryshimet e Kodit Zgjedhor, me ndryshime vetëm dy muaj para se të shpërbëhet Parlamenti, ngase për këtë siç kanë theksuar, nevojitet debat dhe arritja e një konsensusi më të gjerë politik.
SHIKONI EDHE: Beteja e partive të vogla për zgjedhje me një njësi zgjedhorePor, partia e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, Lidhja Social-Demokrate, i ka bërë thirrje partnerit të koalicionit qeverisës, BDI-së dhe partisë maqedonase në opozitë VMRO DPMNE-së, që t'i tërheqin amendamentet.
Sipas modelit aktual zgjedhor, fituesit e zgjedhjeve, pra partitë e mëdha, i marrin të gjitha votat. Edhe në raste kur një parti më e vogël fiton 50 mijë vota, ato humben nga shpërndarja në gjashtë njësi zgjedhore, për shkak të pragut zgjedhor prej të paktën 5 për qind.
Me një njësi zgjedhore ka më shumë mundësi që votat që i merr një parti e vogël, të mund të nxjerrin një deputet të tyre në Kuvend.