Shqipëria miraton memorandumin me SHBA-në për sigurinë e rrjetit 5G

Ilustrim

Qeveria e Shqipërisë e ka miratuar një Memorandum të Mirëkuptimit me qeverinë e Shteteve të Bashkuara, që ka të bëjë me sigurinë e rrjetit 4G dhe 5G.

SHBA-ja është duke komunikuar me shumë vende në botë, për të kundërshtuar bashkëpunimin e tyre me kompaninë kineze Huawei dhe rrjetin e saj 5G.

Uashingtoni e ka vendosur këtë kompani në “listën e zezë” pasi vlerëson se ajo paraqet rrezik për sigurinë kombëtare.

SHBA-ja dyshon se kjo kompani bashkëpunon me qeverinë kineze dhe se të dhënat e përdoruesve të saj nuk janë të sigurta.

Rrjeti 5G paraqet gjeneratën e fundit të lidhjes së telefonave të mençur me internet dhe ofron shpejtësi të shkarkimin shumëfish më të shpejt sesa ekziston aktualisht.

Huawei me qendër në Kinë i ka mohuar vazhdimisht akuzat e Uashingtonit.

"Ne e njohim sovranitetin e çdo vendi, të drejtën për të marrë vendime për veten e tyre, por jemi përpjekur që këto dy vitet e kaluara t'u bëjmë të qartë miqve tanë, në të gjithë botën, për rreziqet e këtyre bashkëpunimeve", tha më 5 dhjetor, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo gjatë një vizite në Portugali.