Ambasada zvicerane mbështet reagimet kundër deklaratave të Vuçiqit për Reçakun

Një djalosh duke u lutur para varrezave të personave të vrarë në Reçak më 1999.

Ambasada e Zvicrës në Kosovë dhe Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë kanë përkrahur reagimet e ashpra kundër deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, përmes së cilave ai ka mohuar krimet e kryera në Reçak gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

Në një deklarate të përbashkët, ato kanë thënë se në shoqëritë pas konfliktit është shumë e rëndësishme që të dënohen krimet e kryera.

“Secila deklaratë për ngjarjet rreth konfliktit duhet të jetë e bazuar në fakte dhe të tregojë respekt për viktimat dhe familjet e tyre. Dënimi i krimeve të luftës duhet të sfidohet, sidomos kur bëhet fjalë për përfaqësues të institucioneve shtetërore”, është thënë në deklaratë.

Më 5 dhjetor të këtij viti, presidenti Vuçiq ka thënë se “krimi në Reçak është i fabrikuar, ku gjithçka është falsifikuar nga ai mashtruesi i botës, hajni dhe gënjeshtari (William) Walker”.

Kjo deklaratë e presidentit serb Vuçiq, ka ardhur si reagim ndaj vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila ka dënuar me dy vjet burgim ish-ministrin e Qeverisë së Kosovës, Ivan Todosijeviq, nga radhët e Listës Serbe.

Ky i fundit, më 24 mars 2019, në një tubim të qytetarëve serbë në Zveçan kundër intervenimit të NATO-s, publikisht kishte thënë që “masakra e Reçakut ishte trillim” dhe se “terroristët shqiptarë e trilluan gjithë këtë”.

Përveç Ambasadës së Zvicrës dhe Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, lidhur me deklaratat e presidentit serb kanë reaguar ditë më parë edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, e cila ka konsideruar se retorika nxitëse dhe rishikimi i historisë “janë të papranueshme”, derisa Bashkimi Evropian ka cilësuar se ngjarjet e vitit 1999 në Reçak janë “të pamohueshme”.

Në vitin 1999, në Reçak u vranë 45 civilë shqiptarë nga forcat serbe. Masakra e Reçakut njihet si një nga ngjarjet që shënuan kthesë në diplomacinë ndërkombëtare në raport me Serbinë dhe Kosovën, duke u paraprirë proceseve që çuan te fushata e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Serbisë.