Një javë përgatitje për testin PISA?

Programi për vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve, i njohur me shkurtesën “PISA”, ka radhitur Kosovën në vendin e 77-të në mesin e 79 shteteve

Programi për vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve, i njohur me shkurtesën “PISA”, ka radhitur Kosovën në vendin e 77-të në mesin e 79 shteteve, të cilat i janë nënshtruar këtij vlerësimi, duke ranguar të tretën nga fundi. Kosova në këtë test ka lënë pas vetëm Republikën Dominikane dhe Filipinet.

“PISA”, studimi më i madh ndërkombëtar në botë për arsim ka bërë vlerësimin për njohuritë e nxënësve 15-vjeçar në lexim, matematikë dhe shkencë.

Ky vlerësim ndërkombëtar në shkollat e Kosovës është realizuar në muajin prill të vitit të kaluar.

Ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Kosovës, Shyqyri Bytyqi, tha se me gjithë pritjet dhe përpjekjet që të ketë rezultate më të mira, kjo nuk është arritur.

Sipas tij, një nga arsyet për këtë rezultat të dobët mund të jetë e ndërlidhur me faktin se pjesëmarrja e nxënësve në test u bë në formën digjitale.

“Ne duhet të shikojmë sistemin arsimor, çfarë përmirësimi ka nevojë të bëhet sepse niveli i rezultateve matet në shkolla. Pra, ministritë mund të bëjnë politika të mira siç i kemi tashmë kurrikulat e reja, për të cilat për çdo kohë nevojiten trajnime të mirëfillta që mësimdhënësi të kuptojë për zbatueshmërinë e tyre. Por, nëse nuk zbatohen këto kurrikula normalisht se do të kemi rezultate jo të kënaqshme siç i kemi tani”, tha Bytyqi.

SHIKONI EDHE: Bytyqi: Depolitizimi i shkollave, sfidë që duhet të tejkalohet

Kosova për herë të parë ka qenë pjesë e këtij vlerësimi ndërkombëtar në vitin 2015, ku edhe aty tregoi rezultate të dobëta. Në testin e vitit 2015, Kosova u radhit në vendin e 68-të, në mesin e 72 vendeve pjesëmarrëse në test.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje të arsimit, pohojnë se rezultati nga testi PISA 2018, paraqet një përmbledhje valide dhe reale të arsimit në vend.

Dukagjin Pupovci, drejtues i Qendrës për Arsim të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se arsye kryesore e kësaj situate është mungesa e përgjegjësisë dhe llogaridhënies brenda sistemit të arsimit, duke filluar nga shkolla e deri tek nivelet më të larta shtetërore.

“Nëse duam të flasim për nivelet më ta larta, janë hartuar disa strategji për përmirësimin e gjendjes në arsim, është hartuar legjislacioni, por shumë pak ka pasur zbatim të këtyre strategjive dhe këtij legjislacioni. Gjatë kësaj periudhe ka pasur shumë politizim të sistemit arsimor. Sa herë është dashur që të merret ndonjë hap pak më radikal për përmirësimin e gjendjes, gjithmonë ka pasur tërheqje prapa, madje ka pasur edhe hapa elektoral, siç ka qenë rritja e pagave gjatë fushatës zgjedhore, pa i ndërlidhur fare me performancën edhe pse ligji parasheh që paga duhet të jetë e ndërlidhur me përformancën”, tha Pupovci.

Rinor Qehaja, drejtor në Institutin për Studime të Arsimit “EdGuard”, thotë për Radion Evropa e Lirë, se një rezultat i tillë, nuk është befasues dhe sipas tij, dështimi në cilësi të arsimit parauniversitar në vend është përgjegjësi e ministrisë - MASHT-it.

“Është e pakuptimtë të priten rezultate më të mira kur MASHT-i nuk ka ofruar asnjë përkrahje në zbatim të kurrikulës, nuk ka ofruar tekste shkollore cilësore, aq më pak investime në infrastrukturë. Është e patolerueshme që rekomandimet nga PISA 2015 as që janë shqyrtuar nga MASHT-i dhe për këtë duhet të kërkohet përgjegjësi".

"Rezultati i mirë në PISA mund të vijë nga kurrikula dhe jo nga përgatitja e nxënësve për test një javë më herët. Pikënisje e ndryshimit duhet të jetë instalimi i llogaridhënies në arsimin në vend, përfshirë pikësëpari të gjithë përgjegjësit për këtë rezultat në testin PISA”, tha Qehaja.

SHIKONI EDHE: Vetting edhe në sistemin e arsimit

Sektori i arsimit për vite me radhë është përballur me probleme të mëdha dhe si rrjedhojë edhe me cilësi jo të kënaqshme.

Gjatë këtij viti, edhe Agjencisë se Kosovës për Akreditim (AKA), nuk iu ka vazhduar anëtarësimi në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA).