Trump nuk do të marrë pjesë në seancat e procesit të shkarkimit

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe avokatët e tij nuk do të marrin pjesë në një seancë dëgjimore, këtë javë, në kuadër të procesit të shkarkimit të presidentit, i nisur në Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga demokratët.

Në një letër dërguar Komitetit Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve, më 1 Dhjetor, këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Pat Cipollone, akuzoi panelin për një "mungesë të plotë të një procesi të rregullt dhe të drejtësisë themelore" në hetim.

Komiteti, i ngarkuar me marrjen në konsideratë të akuzave të njohura si artikuj të shkarkimit, ka planifikuar të fillojë seancat dëgjimore publike më 4 dhjetor.

Hetimi për shkarkim i komiteteve të Dhomës së Përfaqësuesve, ka si pikë qëndrore një telefonatë të muajit korrik, midis presidentit Trump dhe atij të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy.

Hetimi po zhvillohet nëse Trump abuzoi me pushtetin, duke bërë presion ndaj Ukrainës që të nisë një një hetim ndaj Joe Biden, një kandidat kryesor demokrat për t'u përballur me Trumpin në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, dhe djalin e tij Hunter Biden, i cili kishte punuar më parë për një kompani të energjisë të Ukrainës.

Trump mohon fajësinë dhe e quan hetimin një "gjueti shtrigash".