Shkup: Mjekët kërkojnë kushte më të mira për të parandaluar ikjen e stafit shëndetësor

Ilustrim

Gjatë prezantimit të projekt-buxhetit nga dikasteri i shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, kanë bërë të ditur se e nga arka e shtetit për shëndetësinë gjatë vitit 2020 do të ndahen 7.1 miliardë denar që është 634 milionë denarë më shumë krahasuar me vitin 2019 në funksion të ndërtimit të një sistemi të qëndrueshëm financiar, me shërbime cilësore ku të gjithë qytetarëve do t'u mundësohet të kenë qasje në shërbimet shëndetësore.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, ka theksuar se krahas investimeve në infrastrukturën nga buxheti i shtetit në fokus mbetet përmirësimi i shërbimeve shëndetësore, si dhe motivimi i mjekëve të ri që të shohin perspektivë në vend duke rritur pagat në vazhdimësi si dhe krijimin e mundësive më të mëdha për specializim.

“Gjatë dy viteve të fundit, rritja e pagave të mjekëve specialistë është bërë për 40 për qind dhe për 20 për qind janë rritur pagat e motrave medicinale. Për 20 për qind janë rritur dhe pagat e mjekëve nga kuadri mësimdhënës dhe për 15 për qind janë rritur pagat e të gjithë bashkëpunëtoreve në sistemin e shëndetësisë”, ka theksuar Filipçe.

SHIKONI EDHE: Mbi 170 mjekë kërkuan të largohen nga Maqedonia brenda vitit

Ilir Hasani, mjek, thotë se mjekët e rinjtë nuk e shohin perspektivën e tyre në Maqedoninë e Veriut jo vetëm për shkak të pagave të ulëta, por në masë të madhe dhe për shkak të kushteve të këqija në vendin e punës.

“Parametrat kryesor të cilat duhet të korrigjohen janë shumë të mëdha. Puna e parë është që të përmirësohen kushtet e punës së mjekëve, pra jo vetëm se duhet rritur pagat, por edhe kushtet duhet të jenë më të volitshme. Duhet të përmirësohet dhe procesi i zhvillimit profesional të mjekëve dhe personeli mjekësor duhet të krijohen kushte që të paguhet në bazë të punës që e bën” bën të ditur Hasani.

Gjatë prezantimit të projekt-buxhetit, ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe ka bërë të ditur se gjatë këtij muaji është takuar me mjekët specializantë me ko-financim privat dhe dikasteri që ai drejton tashmë ka pranuar kërkesat e tyre, pasi siç ka theksuar kuadro të tilla i janë shumë të nevojshme shëndetit publik.

“Duke pasur parasysh faktin se sa shumë na duhen kuadro të tilla të specializantëve të rinj, ne u pajtuam dhe tashmë po bëhet draft-ndryshimi i ligjit për mbrojtje shëndetësore, të cilin për një kohë sa më të shkurtë, do ta dërgojmë në seancë qeveritare dhe pastaj ta kalojë edhe procedurën parlamentare”, ka theksuar Filipçe.

Por, mjekët thonë se kohë nuk ka dhe se dikasteri i Shëndetësisë duhet të fokusohet në krijimin e kushteve për ngritje profesionale sa më parë sepse pjesa me madhe e mjekeve të paprofilizuar janë ata që largohen nga vendi.

“Në përgjithësi ikin ata mjekë që akoma s'janë profilizuar gjatë fazës së zhvillimit të tyre profesional pas kryerjes së Fakultetit të Mjekësisë, mjekët e rinj largohen jashtë shtetit".

"Legjislativi aktual në vend si pjesë e reformës së qeverisë së kaluar është mjaft ngulfatës për zhvillimin dhe ngritjen profesionale të mjekëve të rinj. Për fat të keq mund të konstatojë në mënyrë hipotetike se nëse unë personalisht do të isha në fillim të karrierës si mjek nuk besoj se do të mund t'i rezistoja dëshirës së madhe për të ushtruar profesionin jashtë shtetit”, thotë Hasani.

Nga ana tjetër, ish ministri i Shëndetësisë Arben Taravari, për Radion Evropa e Lirë thotë se mjetet e parapara për shëndetësinë në bazë të projekt-buxhetit për vitin 2020 duket qartë se investimet kapitale për të përmirësuar infrastrukturën e institucioneve shëndetësore janë kozmetike sepse mjetet në këtë drejtim nuk mjaftojnë për tu bërë përmirësime të dukshme në raport me shërbimet shëndetësore që marrin qytetarët.

Taravari thotë se është për t'u përshëndetur rritja e pagave për punonjësit në sektorin e shëndetësisë, por duhet pas parasysh se në shumë objekte shëndetësore mungojnë gjërat elementare ndërkohë që me vite nuk është investuar në modernizimin e aparaturës.

“Mendoj se edhe gjatë vitit 2020 në bazë të mjeteve të projektuara të buxhetit nuk pritet ndonjë ndryshim në politikat shëndetësore në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

"E përshëndes pozicionin e dikasterit të Shëndetësisë kundrejt qasjes ndaj pacientëve me sëmundje të rralla, madje mendoj se gjatë vitit 2021 mjetet për këta pacientë duhet të rriten edhe më shumë", thotë Taravari.

Punonjësit në sistemin e shëndetësisë theksojnë se ulja e stafit mjekësor ka bërë që të ulet dhe cilësia e shërbimeve për shkak të mungesës së kapaciteteve.