Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, ka bërë thirrje që sa më shpejt të konstituohet Kuvendi i Kosovës dhe të formohet qeveria e re.
Komentet e diplomatit britanik vijnë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
“Pas kaq shumë vonesash, rinumërime dhe ankesa, tani duhet të mblidhet Kuvendi i ri në mënyrë që qeveria e re të formohet sa më parë që është e mundur”, ka shkruar Abbot në rrjetin social Facebook.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë u mbajtën më 6 tetor.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha më 27 nëntor, se ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve pasi që kanë marrë konfirmim nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykata Supreme se nuk ka më ndonjë çështje për të shqyrtuar që do të ndikonte në rezultatin final.
Bazuar në numrin e votave të fituara, Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 29 deputetë në Kuvendin e Kosovës, LDK-ja 28, PDK-ja, 24 deputetë, koalicioni AAK-PSD, 13, Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë 6 deputetë.
Seanca e parë konstituive e Kuvendi, në bazë të Kushtetutës, mbahet brenda tridhjetë ditëve nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.