Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj ka emëruar të hënën Kreshnik Gashin, Drejtor të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
Haradinaj ka thënë në një postim në rrjetin social, Facebook se Gashi është përzgjedhur në bazë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore dhe në bashkërëndim me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Përveç Gashit, Haradinaj ka njoftuar edhe për emërimin e Burim Ramadanit në pozitën e Inspektorit të Përgjithshëm të AKI-së.
Presidenti Thaçi ka dekretuar të dy zyrtarët në këto pozita.
Kreshnik Gashi ka mbajtur pozitën e kryetarit të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës (ARKEP), derisa Ramadani ka qenë zëvendës-ministër i Mbrojtjes.
Ky vendim i Haradinajt vjen pasi ditë më parë, Shpend Maxhuni ka dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.
Maxhuni ishte emëruar në këtë pozitë në prill të vitit të kaluar.
Para kësaj pozite ai ka qenë Drejtor i Policisë së Kosovës.