Gordon Sondland, ambasadori amerikan në Bashkimin Evropian ka thënë se ka mbajtur të informuar Departamentin amerikan të Shtetit dhe Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo, në përpjekjet për t’i bërë presion Ukrainës që të hetojë një rival politik në këmbim të ndihmës ushtarake, duke thënë se në këtë situatë ka ekzistuar kushtëzimi.
Në Shtetet e Bashkuara ky veprim njihet si “quid-pro-quo”.
Në fjalimin e përgatitur për 20 nëntor para Dhomës së Përfaqësuesve, e cila është duke kryer hetimet për shkarkim të presidentit amerikan, Donald Trump, Sondland ka konfirmuar se ka biseduar në telefon me Trumpin, një ditë pasi presidenti i ka bërë presion liderit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy për të hetuar rivalin e tij politik, Joe Biden.
Sondland ka thënë se ka ndjekur “urdhrat e presidentit” ku është marrë me Ukrainën dhe se ka punuar me avokatin personal të Trumpit, Rudy Giuliani, “për të thyer bllokadën” dhe për të siguruar përsëri ndihmën në vlerë të qindra miliona dollarëve për Kievin.
“Giuliani ka kërkuar që Ukraina të bëjë një deklaratë publike për nisje të hetimeve”, për teoritë diskredituese rreth përpjekjeve ukrainase dhe jo atyre ruse për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, si dhe për një kompani të gazit në Ukrainë që është e lidhur me djalin e Bidenit.
“Giuliani ka shprehur dëshirën e presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe ne e kemi ditur se këto hetime kanë qenë të rëndësishme për presidentin”, është shprehur Sondland.
SHIKONI EDHE: Një fazë e re në hetimet e TrumpitDeklaratat e Sondlandit mund të konsiderohen goditje kritike për Shtëpinë e Bardhë e cila insiston se nuk ka pasur lidhje në mes të ndihmës ushtarake apo vizitës së presidentit ukrainas në Shtëpinë e Bardhë dhe hetimeve për Bidenin dhe djalin e tij, Hunter.
Mbrojtësit e Trumpit kanë theksuar se nuk ka ekzistuar ndonjëherë kushtëzimi.
Your browser doesn’t support HTML5
Sondland ka thënë se ai i ka treguar nën-presidentit amerikan, Mike Pence shqetësimet se ndihma ushtarake për Ukrainën “është bërë e lidhur” me hetimet.
“Të gjithë kanë qenë të përfshirë. Nuk ka qenë sekret”, ka thënë ai.
Komentet e tij vijnë teksa Dhoma e Përfaqësueve është duke mbajtur senaca publike në hetimet rreth Trumpit.
Rreth 14 milionë persona ndoqën seancat publike për hetimet rreth Trumpit
Ish-ambasadorja e SHBA-së në Ukrainë është ndjerë e "kërcënuar" nga Trumpi
Ligjvënësit janë duke hetuar nëse Trump ka abuzuar me pushtetin kur ka tentuar të kërkojë ndihmë nga një qeveri e huaj për të heruar Bidenin, kundërsharin e tij potencial në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Hetimet kanë nisur pas zbulimit të një bisede të 25 korrikut në mes të presidentit Trump dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy.
SHIKONI EDHE: I dërguari amerikan në Kiev dëshmon në rastin Trump-ZelenskiyInformatori është ankuar duke pretenduar se Trump “ka përdorur pozitën e tij për të kërkuar ndihmë nga një shtet i huaj”, në prag të procesit zgjedhor për një mandat tjetër presidencial.
Trump e ka konsideruar hetimin për shkarkim si “mashtrim” mirëpo e ka pranuar se “i ka vështirësuar punën”.
Përveç tjerash, Trump i ka përshkruar seancat publike si “gjyq kangurësh”.
Pasi ka përfunduar deklaratën e tij hapëse, Sonadland, hotelier i pasur dhe donator i madh i Trump, është përgjigjur në pyetjet hetimet kundër presidentit.
Duke marrë parasysh lidhjen e tij të ngushtë me Trumpin, të cilën presidenti Trump e ka mohuar, paraqitja e Sondlandit është pritur me shumë vëmendje dhe mund të jetë pikë kthese në hetimet kundër presidentit amerikan.
Javën e kaluar, zyrtari i Departamentit amerikan të Shtetit, David Holmes ka dhënë hollësi në Dhomën e Përfaqësuesve për një bisedë telefonike në mes të Trumpit dhe Sondlandit, e cila sipas Holmes ka qenë e lidhur me hetimet për Bidenët.
Së fundmi Trump ka thënë se e njeh fare pak ambasadorin që ka emëruar vetë ai, mirëpo Sondland ka thënë se ka folur disa herë me presidentin rreth veprimeve të tij.
Çfarë dëshmoi Volker një ditë më parë?
Në një tjetër seancë dëgjimore të mbajtur më 19 nëntor, i dërguari special i SHBA-së në Ukrainë, Kurt Volker ka ndryshuar disa herë deklaratat në krahasim me të kaluarën.
Ai ka thënë se së fundmi ka kuptuar se kompania ukrainase e energjisë, Burisma”, ka qenë e lidhur me Hunter Bidenin, për të cilin Trump ka kërkuar hetime, duke i përfshirë edhe babain.
Volker ka bërë dallim në mes të hetimeve ndaj Grupit Burisma, të cilat sipas sipas mund të jenë “të duhura” dhe atyre për Bidenët që i ka konsideruar “të papranueshme”.
Ai po ashtu e ka konsideruar “teori konspirative” pretendimin se Biden është korruptuar në marrëveshjet e tij me Ukrainën teksa ka qenë nënpresident.
“Unë e njoh nën-presidentin Biden për 24 vjet. Ai është njeri i ndershëm”, ka thënë Volker.
Në dëshminë e tij ai i është referuar një takimi më 19 korrik me avokatin personal të Trumpit, Rudy Giuliani, kur kanë diskuruar rolin e Bidenit si nën-president teksa djali i tij ka qenë anëtar në kompaninë Burisma.
Kur është pyetur për ndihmën ushtarake në vlerë të 400 milionë dollarëve që Trump e ka pezulluar nga Ukraina në kohën kur është zhvilluar biseda me Zelenskiyn, Volker ka thënë se kundërshton një veprim të tillë.
Mes tjerash ai është shprehur kështu: Unë nuk e kam ditur që të tjerët kanë besuar se hetimi i kompanisë ukrainase, Burisma, e cila ka histori të akuzave për korrupsion, është e barabartë me hetimet për nën-presidentin Biden. Unë kam bërë dallim mes tyre”.
Sipas Kushtetutës amerikane, Dhoma e Përfaqësuesve ka fuqi për të shkarkuar presidentin për “shkelje të rënda dhe keqbërje”.
Kjo është hera e katërt në historinë amerikane që ka nisur një procedurë për shkarkim të presidentit, ndonëse asnjëri prej presidentëve nuk është larguar nga pozita përmes këtij procesi.