Formimi i sindikatave në sektorin privat, rrezikon vendet e punës 

Ilustrim

Besa (emri i vërtetë i njohur për redaksinë) ka përfunduar Fakultetin Filologjik në Prishtinë, dega e Gjuhës Shqipe, por ka tre vjet që në mungesë të një vendi pune në profesionin e saj, ajo punon në një dyqan në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës.

Ajo thotë se nuk e preferon sektorin privat për shkak të pagës dhe trajtimit që u bëhet punëtorëve. Për punën që bënë, e cila sipas saj zgjatë shpesh edhe më gjatë se tetë orë sa parashihet me orarin e punës si dhe punon jo pesë, por gjashtë ditë në javë, paguhet me 250 euro në muaj.

Besa thotë se ka aplikuar në disa konkurse në sektorin publik, por nuk ka arritur të sigurojë një vend pune.

“Unë punoj në një market (dyqan), ku janë kushtet jo të mira, me pagë minimale, me presion psikik nga menaxherët. Edhe unë, por edhe kolegët mundohemi që të gjejmë punë në sektorin publik, që të kemi pagë më të mira, kushte më të mira dhe mos të kemi presione të tilla siç kemi në sektorin privat”, thotë ajo.

Nga hulumtimet e bëra nga përfaqësues të cilët mbrojnë të drejtat e punëtorëve, ishte theksuar se sektori privat është shkelësi më i madh i të drejtave të punëtorëve.

Kushtet në sektorin privat vazhdimisht janë kritikuar edhe nga shoqëria civile dhe përfaqësues të punëtorëve. Por, kohëve të fundit ankesat janë shtuar, pas miratimit të Ligjit për Pagat i cili parasheh rritjen e pagave për punonjësit në sektorin publik nga muaji dhjetor, 2019.

Të rinjtë duan punësim në sektorin publik

Pagat më të larta, trajtimi i punëtorëve si dhe kontratat më të favorshme, janë disa nga arsyet që përmenden nga punëkërkuesit dhe sindikalistët si elemente që e bëjnë sektorin publik më të pëlqyer për t'u punësuar.

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, që funksionon në kuadër të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se paga mesatare e punonjësve në sektorin privat aktualisht është 250 euro në muaj. Sipas tij, kjo pagë duhet të arrijë në 350 euro në muaj. Ai thotë se rritja e pagave në sektorin publik po krijon mospërputhshmëri të pagave mes sektorit publik dhe privat.

“Ky është një trajtim jonjerëzor dhe diskriminues ndaj punëtorëve të sektorit privat. Punëtorët e këtij sektori janë financues të buxhetit të Kosovës, kurse paga e punëtorëve në sektorin privat është tri herë më e vogël se e atyre në sektorin publik. Punëtorët e sektorit privat punojnë me orar të stërzgjatur, punë më të rënda dhe të rrezikshme dhe marrin paga më vogla. Në vende të ndryshme të Evropës paga në sektorin privat është më shumë joshëse se sa në sektorin publik, kurse në Kosovë ndodh e kundërta”, tha Azemi.

Si problem tjetër në këtë sektor, Jusuf Azemi e vlerëson edhe moskrijimin e sindikatave në kompanitë të cila të kanë numër të madh të punëtorëve. Krijimi i këtyre sindikatave, thotë ai, kërkon guxim nga punëtorët përballë menaxherëve të kompanive përkatëse, për faktin se pronarët organizimin sindikal e shohin si rivalitet e jo si partner bashkëpunimi.

Ai tregon se në kompanitë e mëdha që veprojnë në Kosovë, mundohen të marrin informacione nga punëtorët, por në mënyrë anonime.

“Në kompanitë që ka organizim sindikal ka përmirësim të kushteve dhe do të ketë deri në muajin janar. Kurse aty ku nuk ka organizim sindikal është shumë vështirë të veprohet. Kështu që pronarët veprojnë sipas dëshirës së tyre. Në disa nga kompanitë e mëdha ka individë anëtarë të sindikatës që tregojnë për kushtet, por që ata mbesin anonim për shkak të frikës së humbjes së vendit të punës”, thekson Azemi.

Edhe Besa tregon se në kompaninë ku ajo punon nuk ka sindikatë. Ajo thotë se në rast se punëtorët do të ngrisnin zërin për pakënaqësitë që kanë, mund të humbin vendet e tyre të punës.

“Nuk kemi të drejtë të ankohemi ose të formojmë një sindikatë për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve. Nëse bëhet ndonjë ankesë mund të humbasim vendin e punës, kështu që jemi të obliguar të durojmë tërë presionin psikik”, thekson ajo.

Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rreth 85 mijë qytetarë janë të punësuar në sektorin publik me pagë mesatare 573 euro, kurse në sektorin privat janë të punësuar rreth 250 mijë punëtorë me mbi 380 euro.

Paga mujore është kalkuluar para hyrjes në fuqi të Ligjit për Paga, sipas të cilit, në muajin dhjetor, pagat do t'i marrin me rritje. Sipas Ligjit të ri, paga mujore më e ulëta është ajo e shtëpiakut prej 322 euro, 621 euro është paga e mësimdhënësve të shkollës se mesme, profesori i universitetit do të marrë 1505 euro, kryeprokurori 1912 euro, kryeministri 2151 dhe presidenti i Kosovës nga muaji dhjetor do të marrë pagën mujore në vlerë prej 2390 eurosh.