Të mërkurën pasdite në Kosovë ka nisur rinumërimi i fletëvotimeve të gati 1,500 vendvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit.
Organizatat që monitorojnë procesin zgjedhor thonë se ky proces mund të zgjasë deri në tri javë.
Rinumërimin e votave e ka urdhëruar Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), bazuar në ankesat e partive politike ndaj rezultatit përfundimtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Ndaj këtij vendimi nuk është ankuar askush në shkallën e dytë, përkatësisht në Gjykatën Supreme.
ZAP kërkon rinumërim të 1,472 vendvotimeve dhe anulon votat nga Serbia
Në ndërkohë, Gjykata Supreme pritet të vendosë në ditët në vazhdim për ankesën e tre kandidatëve për deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilët rrezikojnë të humbasin vendet e tyre, nëse kjo gjykatë e mbështet vendimin e KQZ-së për heqjen e mbi 3000 votave nga rezultati përfundimtar.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë fituar më së shumti vota.