Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, dhe subjekti politik Lista Serbe reaguan ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) në Kosovë, i cili e urdhëroi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të heqë nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë votat e votuesve jashtë Kosovës, të ardhura nga Serbia.
Gjuriq tha se serbëve të zhvendosur "jo vetëm që nuk u lejohet të jetojnë në vatrën e tyre shekullore, por edhe u mohohet e drejta për të shprehur vullnetin e tyre politik në çfarëdo mënyre".
Gjuriq tha se kjo "qasje anti-qytetare e Prishtinës do të mbetet e regjistruar në historinë politike evropiane si një nga momentet më të turpshme të saj".
Subjekti politik në Kosovë, Lista Serbe, tha se pasi u bë e qartë se gati të gjitha ato vota i përkisnin Listës Serbe, "në Prishtinë dolën me idenë që ato të anulohen" dhe në këtë mënyrë të shkelin vullnetin e votuesve.
Lista Serbe tha se vazhdon "t'i ketë në duart e saj të dhjetë mandatet" në Kuvendin e Kosovës.
PZAP-i vendosi për anulimin e votave nga Serbia bazuar në ankesën e Koalicionit Nisma - Aleanca Kosova e Re - Partia e Drejtësisë.
Ky koalicion, i cili nuk e ka kaluar pragun zgjedhor në zgjedhjet e muajit të kaluar, ka thënë se zarfet me vota nga Serbia "nuk dihet se nga e kanë identitetin e tyre dhe origjinën" dhe se ato janë sjellë nga Serbia në Kosovë nga persona të paidentifikuar dhe të paautorizuar.
KQZ-ja njoftoi se i ka pranuar vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me ankesat e paraqitura në këtë institucion.
Për më shumë, lexoni këtë: