Turqia nis kthimin e "terroristëve të huaj" në vendet e origjinës

Fotografi ilustruese

Autoritetet turke thanë të hënën se kanë nisur kthimin e xhihadistëve të huaj në vendet e tyre të origjinës.

Një amerikan tashmë është dëbuar, ndërsa disa evropianë janë në proces të dëbimit nga Turqia, tha zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme turke, Ismail Catakli.

"Një luftëtar i huaj terrorist nga Shtetet e Bashkuara është dëbuar pasi janë kryer të gjitha procedurat. Planet e udhëtimit për shtatë luftëtarë terroristë me origjinë nga Gjermania kanë përfunduar po ashtu dhe ata do të dëbohen më 14 nëntor", tha Catakli.

Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania nuk kanë bërë ende asnjë koment.

Javën e kaluar, ministri i Brendshëm turk, Suleyman Soylu, është zotuar se do t'i kthejë në vendet e origjinës të gjithë xhihadistët e huaj.

Ai ka thënë se Turqia ka në paraburgim mbi 1,200 luftëtarë të huaj të grupit militant Shteti Islamik.

Turqia i ka kritikuar vendet perëndimore që kanë refuzuar t'i riatdhesojnë shtetasit e tyre, që i janë bashkuar Shtetit Islamik në Siri dhe Irak, madje duke ua marrë disave edhe shtetësinë.

Nuk është e qartë nëse Turqia do të jetë në gjendje t'i riatdhesojë ata që e kanë humbur shtetësinë.

Edhe pse me Konventën e Nju Jorkut të vitit 1961 është jolegale që të lihet dikush pa shtetësi, disa vende, përfshrië Britaninë dhe Francën, nuk e kanë ratifikuar atë.