Pavarësisht premtimeve të shumta, projekteve е ligjeve të ndryshme të miratuara, Maqedonia e Veriut edhe këtë vit po përballet me ndotje të madhe të ajrit, në veçanti me uljen e temperaturave.
Shkupi, Kumanova, Velesi e Tetova, janë qytetet me ndotjen më të lartë në vend ndërkohë që Shkupi është radhitur edhe në listën e dhjetë kryeqendrave botërore me ndotjen më të lartë.
Niveli i grimave PM10 ka thyer të gjitha rekordet për këtë pjesë të vitit, duke arritur në disa raste edhe mbi 10 herë më shumë se normat e lejuara. Ndotja kryesisht vjen nga ngrohja e amvisërive me dru dhe vajra djegës, djegia e gomave, industria e rëndë, automjetet, e shkaktarë të tjerë.
Kryetari i Shkupit, Petre Shilegov kur para dy viteve kishte marrë drejtimin e kryeqendrës kishte thënë se “deri në vitin 2021 Shkupin do ta bëjë kryeqendër evropiane të gjelbër”, por tani në gjysmën e mandatit ai thotë se “nuk është për zgjidhje të shpejta andaj edhe duhet kohë për të përmirësuar gabimet e 30 viteve të fundit”.
“Shkupi nuk duron improvizime. Ajo që na ka ndodhur në qytet në 30 vitet e fundit është gjithçka, por jo edhe strategji për zhvillimin e qytetit. Ne po i shohim pasojat, por kemi edhe plan për dalje nga gjendja e rëndë”, ka deklaruar Shilegov në llogaridhënien për punën e tij dyvjeçare.
SHIKONI EDHE: OKB: Ballkani përballet me nivele alarmante të ndotjes së ajritAi ka premtuar tramvaj në Shkup, përmirësimin e rrjetit të ngrohjes qendrore, obligime për kapacitetet energjetike për vendosjen e filtrave për mbrojtje nga ndotja, si dhe subvencione të ndryshme për qytetarët për aplikimin e masave ekologjike.
Por, ish kryetari i Shkupit, Koce Trajanovski, thotë se Shkupi asnjëherë nuk ka qenë në gjendje më të rëndë se tani në qeverisjen e LSDM-së.
“Pas gjysmës së mandatit të Shilegovit, si prefekt i Shkupit, kryeqendra jonë është në nivelin më të ulët të mundshëm sa i përket higjienës, ajri nuk u pastrua në mënyrë magjike siç pretendonte ai, kemi shkatërrim të hapësirave të gjelbëruar. Asgjë nuk funksionon, asgjë nuk u realizua nga ajo që kishte premtuar”, ka deklaruar Trajanovski.
Ndotja e lartë e ajrit është regjistruar edhe në rajonin e Tetovës prej nga shoqatat ekologjike sërish kanë kërkuar masa konkrete.
“Duhet masa konkrete, nuk di e sata herë është që ne si shoqata, si aktivistë bëjmë thirrje për masa konkrete që do sjellin zgjidhje për problemin”, ka deklaruar Elmedina Abdullahu, drejtuese e shoqatës “Nëna dhe Fëmija”.
Aktivistët thonë se përveç masave të premtuara, institucionet duhet të nisin inspektimet në terren pasi sipas tyre ende nuk ka asnjë masë kundër ndotësve të ajrit.
“U bëjmë thirrje institucioneve kompetente, sidomos Inspektoratit shtetëror për mjedis jetësorë të bëj monitorim të jashtëzakonshëm në kapacitetet kyçe, që janë ndotësit më të mëdhenj në qytet dhe rrethinë , thotë Natasha Amdiu nga Shoqata “Instituti i gjelbër”.
Dhjetor 2018: Ndotje e lartë e ajrit në Shkup
Nga Ministria e Ekologjisë për gjendjen e rëndë me ndotjen kanë fajësuar edhe organet gjyqësore. Nga dikasteri i ambientit jetësor thonë se mbi 70 kallëzime janë paraqitur për shkelësit e mjedisit, por deri më tani asnjë prej nuk është sanksionuar.
Ndotja e ajrit ka rritur edhe numrin e personave që kërkojnë ndihmë mjekësore, në veçanti të të sëmurëve kronik. Mjekët kanë rekomanduar që në ditët me ndotje të lartë të mos dilet në ambiente të hapura, apo në rast të nevojës, të përdoren maska mbrojtëse.