Grupi militant, Shteti Islamik (IS) ka konfirmuar vdekjen e liderit, Abu Bakr al-Baghdadi, si dhe ka njoftuar për pasardhësin e tij.
Një bashkëpunëtor i IS-it në platformën për mesazhe, Telegram ka thënë se Abu Ibrahim al-Hashemi al-Qurayshi është lider i ri i grupit.
Forcat speciale amerikane kanë ndjekur Baghdadin në veriperëndim të Sirisë gjatë fundjavës dhe kanë sulmuar atë në kompleksin e tij.
Al-Baghdadi ka ikur në një tunel dhe ka shpërthyer jelekun vetëvrasës, duke vrarë edhe dy fëmijët e tij, përveç vetes.
Ai ishte shpallur lider i grupit ekstremist, Shteti Islamik më 2014 kur militantët e IS-it kontrollonin pjesë të mëdha të territorit në Siri dhe Irak.
Ushtria amerikane ka publikuar gjatë ditës pamjet e para të sulmit, në përndjekje të Baghdadit.