Ambasadori amerikan: Trump ia kushtëzoi ndihmën Ukrainës

William Taylor

Ambasadori amerikan në Ukrainë, Bill Taylor, tha se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka kushtëzuar ndihmën ushtarake për Ukrainën me zotimin se kjo e fundit do ta hetojë një rival të tij politik.

Taylor dëshmoi para një paneli të Kongresit, në kuadër të procedurave për shkarkimin e Trumpit.

Këto procedura, Dhoma e Përfaqësuesve, e udhëhequr nga demokratët, i ka nisur më 24 shtator, pasi një informator ka zbuluar se Trump ka kërkuar nga homologu ukrainas, Volodymyr Zelensky, të hetojë për korrupsion ish-nënpresidentin amerikan, Joe Biden, dhe djalin e tij.

Biden shihet si rival i mundshëm i Trumpit në zgjedhjet e vitit 2020.

Taylor tha se është njderë i shokuar kur ka mësuar, në muajin korrik, se Trump ka vendosur të shtyjë ndihmën ushtarake për Ukrainën, e cila lufton me separatistët pro-rusë tash e pesë vjet.

"Unë dhe të tjerët jemi shtangur", tha ai, për të shtuar se marrëdhëniet me Ukrainën janë "dëmtuar thelbësisht".

Presidenti Trump këmbëngul se nuk ka pasur asnjë marrëveshje apo shkëmbim favoresh në politikën rreth Ukrainës.

Duke iu përgjigjur dëshmisë së fundit në Kongres, sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham, tha se "presidenti Trump nuk ka bërë asgjë të keqe" dhe se "kjo është një fushatë e bashkërenduar për njollosje nga ligjvënësit e ekstremit të majtë".

Taylor, diplomat i karrierës, i cili shërben si i dërguar amerikan në Ukrainë që nga qershori, është dëshmitari i fundit që del para ligjvënësve, në kuadër të hetimeve për abuzimin e dyshuar të pushtetit nga presidenti Trump.