Trump i quan "linçim" procedurat për shkarkimin e tij

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se procedurat për shkarkimin e tij nga detyra janë "një linçim".

Në një postim në Twitter, Trump i cilësoi ato si "proces të padrejtë".

Në Shtetet e Bashkuara, linçimi iu referohet ekzektimeve jashtëgjyqësore kundër afrikano-amerikanëve, të kryera në të kaluarën nga të bardhët.

Linçimi është një fjalë që "asnjë president nuk duhet ta përdorë për veten", tha kongresisti me ngjyrë, Jim Clyburn, nga Partia Demokratike.

"Kjo është një fjalë që duhet të jemi shumë, shumë të kujdesshëm kur e përdorim", shtoi ai për rrjetin televiziv CNN.

"A e dini se sa njerëz që duken si unë janë linçuar nga njerëz që duken si ti”, pyeti në anën tjetër Bobby Rush, po ashtu kongresist me ngjyrë.

Më 24 shtator, Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA, e udhëhequr nga demokratët, ka nisur procedurat për shkarkimin e Trumpit, duke e akuzuar atë për tradhti ndaj betimit të presidentit dhe të sigurisë kombëtare.

Akuzat kanë të bëjnë me dyshimet se Trump i ka bërë presion presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, që të hetojë një rival të tijin politik.

Trump vazhdimisht i ka cilësuar hetimet kundër tij si "mashtrim" dhe "gjueti shtrigash".