KQZ ende pa vendim për zarfet nga Serbia

Qendra e Numërimit dhe Rezultateve

Drama e zarfeve me votat nga Serbia nuk ka përfunduar ende, ndonëse pacientet që ishin ankuar për reaksione alergjie pas hapjes së tyre janë liruar, kurse analizat laboratorike të pacientëve të shtrirë në spital kishin rezultuar se nuk bëhet fjalë për ndonjë shkaktar infektiv.

Megjithatë, Prokuroria e Kosovës, thuhet se po i vazhdon hetimet, kurse mostrat e zarfeve nga Serbia, sipas Prokurorisë, janë dërguar për ekzaminim në një prej laboratorëve në Evropë, por nuk saktësohet në cilin shtet.

Ndërkohë, as Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka një vendim të prerë se çfarë do të ndodhë me këto zarfe.

Sidoqoftë, dymbëdhjetë pacientët e shtrirë në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, që kanë kërkuar ndihmë mjekësore pasi që janë ankuar për reaksione alergjike teksa po verifikonin zarfet me vota të ardhura nga Serbia, janë liruar nga spitali, kanë bërë të ditur zyrtarë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Klinikës Infektive, Linda Ajazaj-Berisha, tha për Radion Evropa e Lirë se pacientët janë liruar nga spitali në gjendje të mirë shëndetësore.

“Gjendja shëndetësore, në momentin kur i kemi liruar pacientët, ka qenë e mirë. Ne i kemi përjashtuar sëmundjet apo shkaktarët infektivë. Me të tjerat mbetet të merren organet tjera të hetuesisë që kanë filluar me procedura”, tha Ajazaj-Berisha.

Të dielën, më 13 tetor, teksa po hapnin dhe verifikonin votat e ardhura nga Serbia në zarfet e mbyllura, fillimisht kanë qenë 20 zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që janë ankuar për gjendjen e tyre shëndetësore dhe më pas 12 prej tyre kanë përfunduar të shtrirë në spital.

SHIKONI EDHE: Kush e dëmtoi në fund procesin zgjedhor në Kosovë?

Për autoritetet në Beograd, gjithçka në lidhje me zarfet nga Serbia është një përpjekje për manipulim.

Sa i përket zarfeve me vota të ardhura nga Serbia, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Valmir Elezi, tha për Radion Evropa e Lirë se ende nuk ka ndonjë vendim se si do të trajtohen.

“KQZ akoma nuk ka ndonjë vendim lidhur me dërgesat apo zarfet me fletëvotime që kanë ardhur nga Serbia, besoj që për çdo gjë do ta mbajmë të informuar publikun”, tha Elezi.

Përmbyllja e procesit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë, që nënkupton shpalljen e rezultatit përfundimtar dhe certifikimin e tij, sipas zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mund të zgjasë afërsisht edhe dy javë të tjera.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor. Bazuar në raportimet nga vëzhguesit vendorë dhe ata ndërkombëtarë, procesi kaloi qetë dhe ishte në harmoni me standardet demokratike.