Universitetet publike dhe kolegjet private në Kosovë kanë mungesë të kuadrove akademike si numër, por edhe si cilësi thonë përfaqësues të organizatave që merren me arsim dhe ekspertë të arsimit.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2018/2019 tregojnë se numri i stafit akademik dhe administrativ në universitetet publike në Kosovë është rreth 2.300, ndërsa numri i studentëve është mbi 68 mijë studentë.
Sipas po këtyre të dhënave të ASK-së vetëm në 14 kolegjet private në Kosovë, numri i stafit akademik dhe administrativ ishte 2339, Të dhënat edhe për 9 kolegje tjera private mungojnë. Numri i studentëve në kolegje private është mbi 36 mijë studentë.
SHIKONI EDHE: Dy dështime radhazi për akreditim çojnë në mbylljen e universiteteveEksperti i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka mungesë të kuadrove edhe si numër edhe si cilësi në universitete publike dhe private.
“Nëse shihen përpjesëtimet student – mësimdhënës para dy viteve Universiteti i Prishtinës ka qenë 1 mësimdhënës për 53 studentë, ndërsa universitet tjera që janë nëpër regjione kanë qenë në pozitë edhe më të keqe që tregon se vet numri i mësimdhënësve ka qenë i pamjaftueshëm.”.
“Mesatarja në universitetet publike ka qenë 1 mësimdhënës për 60 studentë ndërsa në kolegjet private kanë qenë 1 mësimdhënës për 27 studentë. Këto janë të dhëna të vitit 2017, tash mund të ketë ndërruar për të mirë kjo situatë por, megjithatë nuk ka mundur të ndryshojë shumë”, thotë Pupovci.
Në Kosovë dispozitat ligjore parashohin që çdo vit, institucionet e arsimit të lartë duhet të deklarojnë stafin e vet mësimdhënës. Ato dispozita ligjore parashohin se duhet të ketë një doktor shkence për çdo 60 kredi që i ka një program i caktuar studimor. Për shembull, nëse është 180 kredi - program trevjeçar - duhet t’i ketë tre doktorë në fushën e caktuar.
Rinor Qehaja, drejtor në Institutin për Studime të Arsimit “EdGuard”, thotë për Radion Evropa e Lirë se e keqja qëndron se sigurimi i cilësisë në arsimin e lartë në Kosovë është përkufizuar vetëm në plotësimin e numrit të doktorshkencave, pra në aspektin kuantitativ, por mungon sigurimi i cilësisë në mësimdhënie.
“Mungesa e kuadrove në Kosovë është më shumë në përgatitjen profesionale sesa në certifikimin e tyre, pra shumë universitete bartëse të arsimit të lartë e përmbushin disi kriterin e tre doktorëve të shkencave, por ajo që është e debatueshme është cilësia në mësimdhënie dhe kualiteti prej këtyre profesorëve. Pra mungon një mësimdhënie që është e përshtatshme dhe adaputeshme për treg të punës. Tregu i punës na ka dëshmuar që shkollimi universitar nuk i përgatit studentët për tregun e punës”, thotë Qehaja.
SHIKONI EDHE: Pasojat e largimit të Kosovës nga Asociacioni Evropian për Cilësi në ArsimNdërkohë, eksperti i arsimit Dukagjin Pupuvci shton se problemi më i madh në sistemin e arsimit të lartë është struktura e stafit akademik.
Sipas tij, rreth 60 për qind e studentëve në Kosovë studiojnë shkenca sociale dhe humane, që do të thotë që ata nuk kanë nevojë për pajisje laboratorike, por vetëm për libra dhe mësimdhënie cilësore.
“Është pikëpyetje sa janë këta njerëz të kualifikuar për të ofruar cilësi në ato vende ku punojnë, pasi që e dimë se në vitet e fundit është bërë pranimi i stafit akademik pa kritere rigoroze akademike, sidomos kjo ka ndodhur në universitet rajonale dhe kolegje. Kanë ardhur njerëz me doktorata prej disa universiteteve private të Ballkanit që tani i kanë zënë vendet. Unë lejoj mundësinë që në mesin e tyre të ketë shumë të mirë, mirëpo në përgjithësi ato institucione ku janë marrë ata titujt janë mjaft problematike dhe kjo ngreh shqetësimin për kuadrot akademike që kanë institucionet tona të arsimit të lartë”, thotë Pupovci.
Sektori i arsimit në Kosovë për vite me radhë është përballur me probleme të mëdha dhe si rrjedhojë edhe me cilësi jo të kënaqshme.
Së fundi, Agjencia e Kosovës për Akreditim nuk kishte akredituar tre universitete publike dhe disa nga kolegjet private. Këto universitetet dhe kolegje private kishin marrë vërejtje të shumta nga ekspertët ndërkombëtarë.
Ato nuk kishin përmbushur një numër të konsiderueshëm të standardeve të cilat kërkohen: siç ishte stafi, vizioni, cilësia, strategjia dhe elemente tjera.