Departamenti amerikan i Shtetit, përmes një reagimi ka shprehur zhgënjimin për vendimin e Këshillit Evropian të moshapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, përkundër përpjekjeve për reforma.
Në një deklaratë të zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit Morgan Ortagus, theksohet se “një vendim pozitiv do të kishte riafirmuar besueshmërinë e rrugës së tyre për në BE dhe do t’i ishte kundërvënë vendosmërisht aktorëve të huaj dashakeqës, të cilët kërkojnë të minojnë vlerat perëndimore dhe komunitetin euro-atlantik”.
Deklarata nënvizon faktin që “Këshilli Europian nuk i tha “jo” as Shqipërisë dhe as Maqedonisë së Veriut, dhe as nuk përcaktoi kushte të reja për hapjen e negociatave për anëtarësim.
Shpresojmë që Këshilli Europian do të arrijë konsensus për një vendim pozitiv për të dy vendet kohë përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor verën tjetër”.
Në deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit theksohet se “Shtetet e Bashkuara do të mbeten partner strategjik i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë teksa vazhdojnë punën për të forcuar sundimin e ligjit, për të çuar përpara përpjekjet anti-korrupsion, për të zhvilluar ekonomitë e tyre dhe për të luftuar krimin e organizuar”.
“I nxisim të dy vendet të mbeten të palëkundur në ndërtimin e shoqërive transparente, të bazuara në rregulla dhe demokratike që iu përgjigjen nevojave të qytetarëve. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojmë me partnerët europianë për të çuar përpara synimet e përbashkëta të stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, përfundon deklarata, e cila u postua menjëherë në Facebook nga kryeministri Edi Rama shoqëruar me një falenderim.
Këshilli Evropian nuk ka arritur pajtim për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shkupin dhe Tiranën.
Vetë presidenti i këtij Këshilli, Donald Tusk, tha se këto dy vende nuk duhet fajësuar për vendimin e tillë, pasi, sipas tij, të dyja ato janë të gatshme për nisjen e negociatave tani.
Është thënë se presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka qenë ai që e ka kundërshtuar çdo vendim pozitiv për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, përpara një reformimi të gjerë të BE-së.