Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha të premten se liderët e Bashkimit të sotëm Evropian "e kanë thënë më qartë se asnjëherë tjetër" se mosdhënia e datës së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE është "rezultat i mosarritjes së konsensusit mes vendeve anëtare, për arsyet e tyre”.
Në një konferencë për shtyp në Tiranë, Rama tha se “Franca kërkon një reformim të brendshëm të BE-së dhe kërkon një transformim të vetë procesit të integrimit".
Komentet vijnë një ditë pasi Këshilli Evropian nuk ka arritur pajtim për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shkupin dhe Tiranën.
Vetë presidenti i këtij Këshilli, Donald Tusk, tha se këto dy vende nuk duhet fajësuar për vendimin e tillë, pasi, sipas tij, të dyja ato janë të gatshme për nisjen e negociatave tani.
- Liderët e BE-së pa pajtim lidhur me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut
- Refuzimi i Tiranës dhe Shkupit nga BE-ja konsiderohet "gabim i madh"
Është thënë se presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka qenë ai që e ka kundërshtuar çdo vendim pozitiv për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, përpara një reformimi të gjerë të BE-së.
“Është e tepërt kur i shtohen bishta kësaj që është thelbësore: jo po azilantët, jo po kjo, jo ajo, këta janë bishta", tha Rama.
Ai vazhdimisht ka thënë se Shqipëria i ka përmbushur reformat për të përparuar në rrugën e integrimit evropian.