Refuzimi i Tiranës dhe Shkupit nga BE-ja konsiderohet "gabim i madh"

Bsukel

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, pranoi se "disa vende anëtare" të bllokut nuk kanë qenë të gatshme të lejojnë fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

"Unë personalisht mendoj se ky ka qenë një gabim i madh", tha Tusk në një konferencë për media, pasi Këshilli Evropian, natën e kaluar, nuk ka arritur pajtim për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shkupin dhe Tiranën.

Tusk theksoi se këto dy vende nuk duhet fajësuar për vendimin e tillë, pasi të dyja ato janë të gatshme për nisjen e negociatave tani.

Ai kërkoi nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria që të mos heqin dorë nga ambiciet e tyre dhe premtoi se ato do të bëhen një ditë anëtare të plota të Bashkimit Evropian.

"Vërtet turpërohem për këtë (vendim)", tha Tusk.

Juncker dhe Hahn: Gabim historik dhe rrezik nga destabilizimi

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, tha se është "thellësisht i zhgënjyer" nga mungesa e unitetit për zgjerimin dhe shtoi se rezultati i debatit të së enjtes është një "gabim historik".

Refuzimi për të pranuar përparimin e dëshmuar do të ketë pasoja negative, përfshirë rrezikun e destabilizimit të Ballkanit Perëndimor, me ndikim të plotë në BE, tha komisionari i Zgjerimit, Johannes Hahn.

Ai theksoi se BE-ja duhet të sqarojë se sa serioz është angazhimi i saj për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor.

Burimet diplomatike kanë konfirmuar se ka qenë presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ai i cili ka kundërshtuar çfarëdo vendimi pozitiv për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Për më shumë, lexoni këtë: Liderët e BE-së pa pajtim lidhur me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut