Shtetet e Bashkuara dhe Turqia janë pajtuar që të pezullohet ofensiva turke në veri të Sirisë.
Lajmin e bëri të ditur nënpresidenti amerikan Mike Pence, i cili tha se marrëveshja u arrit pas pesë orë bisedimesh me presidentin turk, Reccep Tayyp Erdogan, në Ankara.
“Turqia është pajtuar që të pezullojë operacionin për 120 orë, në mënyrë që lejojë tërheqjen e forcave kurde”, deklaroi Pence.
Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara janë duke punuar me forcat kurde për tërheqje nga zona kufitare.
Pence tha se Turqia dhe SHBA-ja janë pajtuar për “qëllimin e përbashkët për të shkatërruar grupin militant Shteti Islamik".
Forcat e udhëhequra nga kurdët kanë qenë një aleat kryesor i SHBA-së në luftën kundër grupit militant, Shteti Islamik.
Të dyja vendet janë pajtuar për një rezolutë paqësore për zonën e sigurt në veri të Sirisë, tha nënpresidenti Pence.
Krijimi i kësaj zone ka qenë edhe arsyetimi i Turqisë kur e filloi, nëntë ditë më parë ofensivën në veri të Sirisë. Ankaraja tha se synon t'i dëbojë luftëtarët kurdë në atë rajon, të cilët i konsideron si terroristë, dhe të mundësojë kthimin e miliona refugjatëve sirianë që gjenden në territorin turk.
Para konferencës për media të nënpresidentit Pence nga Turqia, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar marrëveshje me Turqinë sa i përket armëpushimit në veri të Sirisë.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Twitter, ai ka falenderuar presidentin e Turqisë, Reccep Tayyip Erdogan, duke thënë se miliona jetë janë shpëtuar.
“Lajme të shkëlqyera nga Turqia. Faleminderit president Erdogan. Miliona jetë do të shpëtohen!”, ka shkruar Trump.
Great news out of Turkey. News Conference shortly with @VP and @SecPompeo. Thank you to @RTErdogan. Millions of lives will be saved!
— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) 17. října 2019
Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Turqisë, Hulusi Akar, deklaroi se SHBA-ja dhe Turqia janë pajtuar që të shkatërrohen pozicionet e kurdëve. Ai tha se operacioni vetëm do të pezullohet për të mundësuar largimin e "terroristëve" nga rajoni.
Turqia e filloi ofensivën në Siri pas tërheqjes së trupave amerikane nga veriu i vendit, të cilat bashkë me forcat kurde, kishin luftuar kundër grupit ekstremist Shteti Islamik.
Pasi vendosi të tërhiqet, SHBA-ja i bëri thirrje Turqisë të ketë kujdes me veprimet e saj.
Por, presidenti Erdogan i injoronte thirrjet e vazhdueshme amerikane dhe të Bashkimit Evropian për të ndalur operacionin.
E, shqetësimet ndërkombëtare u rritën për shkak të mundësisë së një krize të re humanitare dhe ringjalljen e grupit militant ekstremist, Shteti Islamik.
Your browser doesn’t support HTML5