Senatori amerikan nga rradhët e republikanëve, Lindsey Graham, tha se ka biseduar me kryesuesen e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, lidhur me ofensivën turke në veri të Sirisë.
Sipas tij, Pelosi mbështet vendosjen e sanksioneve ndaj Ankarasë.
Graham është zakonisht një mbështetës i politikave të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, por ai ka dënuar vazhdimisht vendimin e Trumpit për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria verilindore, e cila u pasua me shpejtësi nga një ofensivë turke për të dëbuar forcat e drejtuara nga kurdët, të cilët kanë qenë prej kohësh aleatë të Uashingtonit.
"Thjesht fola me kryesuesen Pelosi në lidhje me veprimet e Kongresit mbi përfshirjen e Turqisë në Siri", Graham në rrjetin social,Twitter.
"Kryesuesja mbështet sanksionet dypartiake kundër ofensivës së Turqisë në Siri. Ajo gjithashtu beson se ne duhet të tregojmë mbështetje për aleatët kurdë dhe është e shqetësuar për ringjalljen e ISIS-it", ka shkruar Graham.
Turqia e filloi ofensivën, pas tërheqjes së forcave amerikane, të cilat i kanë mbështetur për vite me rradhë luftëtarët kurdë, në luftën e tyre kundër grupit ekstremist të ashtuquajtur, Shtetit Islamik.
Pas këtyre vendimeve, janë ngjallur kritika ndërkombëtare ndaj Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Objektiv i Turqisë ishte krijimi i një zone të sigurtë në këtë rajon, ku ajo dëshiron të kthejë miliona refugjatë sirianë që gjenden në territorin turk.
Ankaraja gjithashtu u zotua të marrë përgjegjësinë për militantët e IS-it brenda "zonës së sigurt", por tha se nuk do të përgjigjet për të tjerët.