Gjatë verifikimit të zarfeve me vota nga Serbia, raportohet për zyrtarë të prekur me alergji

Prishtinë, 13 tetor, 2019.

Procesi i verifikimit të votave të ardhura nga Serbia është ndërprerë, pasi që zyrtarët që kanë qenë në kontakt me zarfet me votat nga Serbia u është shfaqur alergji në duar. Megjithatë, ende nuk është e qartë se për çfarë reaksioni alergjik bëhet fjalë.

Lajmin për Radion Evropa e Lirë e ka konfirmuar Besnik Buzhala nga divizioni i Shërbimit votues.

“Është ndërprerë verifikimi i zarfeve (me vota) që kanë ardhur nga Serbia dhe jo nga diaspora”, tha Buzhala.

“ I është shkaktuar (personave që kanë qenë duke verifikuar votat) alergji nëpër duar nga zarfet që kanë ardhur nga Serbia. Tash janë duke u bërë kontrollet dhe çka del tutje, unë nuk mund ta di”, tha Buzhala.

Ndërkaq, Daut Hoxha nga Policia e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë "posedojmë informacionin dhe në aspektin policor jemi duke e trajtuar, ndërsa lidhur me detaje të tjera në këtë fazë adresojuni KQZ-së".

Në Kosovë më 6 tetor u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Sipas rezultateve preliminare nga numërimi i votave të rregullta, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.