Vendimi i Shteteve të Bashkuara për tërheqje të forcave nga verilindja e Sirisë, duke i lënë shtegun e hapur Turqisë që të zhvillojë një operacion kundër luftëtarëve kurdë, mund ta “ringjallë” grupin militant Shteti Islamik.
Ky është alarmi që u ngrit nga ministrja e Mbrojtjes e Francës, Florence Parly.
“Ne do të jemi tejet të kujdesshëm që kjo tërheqje e paralajmëruar nga Shtetet e Bashkuara dhe një ofensivë e mundshme nga Turqia të mos krijojë një manovër të rrezikshme që na devijon nga qëllimi që ne të gjithë ndjekim - lufta kundër Shtetit Islamik", tha ministrja Parly.
Çfarë po ndodhë në verilindje të Sirisë?
Në verilindje të Sirisë gjenden luftëtarët kurdë të njohur si grupi YPG. Ata kanë qenë aleatët më të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara në luftën kundër Shtetit Islamik.
Por, Turqia i konsideron ata si terroristë, dhe dëshiron t’i largojë nga kufiri i saj.
Shtetet e Bashkuara dhe Turqia kanë qenë në bisedime për krijimin e një zone të sigurisë në verilindje të Sirisë.
Kjo zonë, sipas zyrtarëve turq, do të shërbente për kthimin e mbi 3 milionë refugjatëve sirianë që ndodhën në Turqi.
Ankaraja i ka kërcënuar pandërprerë vendet perëndimore se do të hapë kufijtë e saj, në mënyrë që refugjatët të mund të kalojnë në perëndim.
Kohët e fundit, në Greqi është rritur numri i refugjatëve që kanë kaluar nga territori turk.
Mirëpo, bisedimet ndërmjet SHBA-së dhe Turqisë për krijimin e zonës së sigurisë në verilindje të Sirisë, ishin të tejzgjatura, duke e humbur durimin e Ankarasë, e cila paralajmëroi se do të veprojë e vetme dhe paralajmëroi një operacion ndaj militantëve kurdë.
Tërheqja e SHBA-së dhe paralajmërimi ndaj Turqisë
Zyrtarët e SHBA-së njoftuan më 7 tetor se do të tërhiqen nga verilindja e Sirisë, duke ngritur shqetësime për pasojat e një ofensive turke ndaj militantëve kurdë.
U ngritën shumë pikëpyetje sesi është e mundur që SHBA-ja të braktisë në këtë mënyrë luftëtarët kurdë, të cilët luftuan krah për krah me ushtrinë amerikane për të mundur militantët e Shtetit Islamik.
Një grup ligjvënësish amerikanë shprehën shqetësime, se një tërheqje e tillë, mund t’i hapë rrugë Turqisë për një operacion ndaj forcave kurde në Siri.
Por, këtyre shqetësimeve iu përgjigj presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili kërcënoi më shkatërrim të ekonomisë turke nëse ajo i “kalon limitet” me veprime në Siri.
"Siç e kam thënë me vendosmëri edhe më parë, dhe thjesht sa për ta përsëritur, nëse Turqia bën ndonjë gjë që unë, me mençurinë time të madhe dhe të pakrahasueshme, e konsideroj “jashtë limiteve”, unë do ta shkatërroj plotësisht ekonominë e Turqisë", ka thënë Trump.
Menjëherë reagoi edhe Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së. Në një deklaratë, zëdhënësi i Pentagonit Jonathan Hoffman tha se "Departamenti i Mbrojtjes i bëri të qartë Turqisë – siç e bëri edhe presidenti - se ne nuk e mbështesim një operacion turk në Sirinë Veriore".
Pse u tërhoq SHBA-ja?
Presidenti amerikan, Donald Trump e arsyetoi vendimin për tërheqje të trupave amerikane nga verilindja e Sirisë, duke këmbëngulur se ai ishte zgjedhur president, për t’i përfunduar operacionet ushtarake amerikane jashtë shtetit.
"Unë u zgjodha për të dalë nga këto luftëra të pafundme dhe qesharake, ku ushtria jonë e madhe funksionon si një operacion policor në të mirë të njerëzve, të cilët as që e duan SHBA-në. Dy vendet më të pakënaqura në këtë veprim janë Rusia dhe Kina, sepse ata pëlqejnë të na shohin duke shpenzuar shumë dollarë duke e bërë këtë”, tha Trump.
Presidenti, më tutje theksoi përmes disa postimeve në rrjetin social Twitter, se Shtetet e Bashkuara ishte planifikuar të qëndrojnë në Siri vetëm për 30 ditë dhe tashmë kanë kaluar vite.
“Kur unë erdha në Uashington, ISIS-i po lëvizte si i tërbuar në atë rajon. Për një kohë të shkurtër ne e mposhtëm kalifatin e Shtetit Islamik”, tha Trump.
Megjithatë, sipas tij, SHBA-ja ka qëndruar për një kohë të gjatë në Siri, duke u përfshirë thellë e më thellë në konflikt pa një qëllim të caktuar.
Sa i përket luftëtarëve kurdë, presidenti amerikan, tha se “kurdët kanë luftuar bashkë me ne, por ne kemi paguar shumë të madhe parash dhe pajisje për të zhvilluar këtë luftë”.
Çfarë reagime pati ndaj vendimit amerikan dhe planeve të Turqisë?
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres u bëri thirrje të gjitha palëve në veri-lindje të Sirisë që të tregojnë përmbajtje maksimale, tha zëdhënësi i tij, Stephane Dujarric.
"Sekretari i Përgjithshëm thekson gjithashtu se infrastruktura dhe civilët duhet të mbrohen në çdo moment dhe se qasja e pandikuar dhe e sigurt humanitare ndaj civilëve duhet të garantohet", tha ai.
Rusia deklaroi se nuk ishte informuar paraprakisht nga Shtetet e Bashkuara ose nga Turqia për ndonjë marrëveshje që kishin arritur në lidhje me planet për tërheqjen e SHBA-së nga Siria verilindore, tha të martën (8 tetor) zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
"Ne jemi duke e vëzhguar situatën nga afër",tha ai.
Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, ka thënë se Irani është kundër veprimeve ushtarake turke në Siri. Në një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu, Zarif gjithashtu bëri thirrje për "respektimin e integritetit dhe sovranitetit territorial të Sirisë".
Zarif dhe Cavusoglu biseduan, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha se po i linte aktorët tjerë në rajon të zgjidhin vetë situatën.