Kryesuesja e Misionit të Bashkimit Evropian për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, Viola von Cramon-Taubadel, tha se zgjedhjet e 6 tetorit kanë qenë të organizuara mirë dhe transparente, ndërsa procesin e votimit dhe numërimit të votave e vlerësoi pozitivisht.
Sipas saj, fushata zgjedhore ishte e gjallë dhe konkurruese në pjesën më të madhe të Kosovës.
“Ambienti i fushatës në trevat e banuara me serbë të Kosovës u cenua nga frikësimi që i vuri në shënjestër kandidatët dhe përkrahësit që nuk ishin rreshtuar me Listën Serbe”, tha Viola von Cramon-Taubadel në një konferencë për media në Prishtinë.
Sipas saj, ndër të metat e këtij procesi ka qenë keqpërdorimi i resurseve publike dhe mungesa e transparencës në kuptimin e financimit të fushatave, e cila ka kushtëzuar garë të pabarabartë në tërë Kosovën.
Por, Cramon-Taubadel e lavdëroi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për transparencë në punë dhe për përgatitjet zgjedhore brenda një kohe të shkurtër.
Zgjedhjet janë shpallur disa javë pasi Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës, më 19 korrik.
Rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 6 tetorit e kanë nxjerrë fituese Lëvizjen Vetëvendosje, e cila pasohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Të tjera në këtë temë: