Ndalohen 20 persona lidhur me procesin zgjedhor

Prishtinë, 6 tetor, 2019.

Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, Laura Pula, ka bërë të ditur se gjatë procesit zgjedhor që është duke u zhvilluar, deri më tani janë vërtetuar 16 raste me 20 persona për parregullsitë të cilët lidhen me procesin zgjedhor.

Në rajonin e Prizrenit janë pesë raste me pesë persona, ku të gjithë janë të ndaluar për veprën penale “cenim i fshehtësisë së votimit”.

Në rajonin e Pejës, ka ndodhur një rast me dy persona të ndaluar për veprën penale “keqpërdorim i të drejtës së votimit”.

Në rajonin e Gjakovës, janë vërtetuar gjashtë raste kundër gjashtë personave. Pesë persona janë të ndaluar dhe një person në kërkim, për veprat penale “pengimi i procesit të votimit”, “cenim i fshehtësisë së votimit” dhe për veprën “asgjësimi i dokumenteve të votimit”.

Në rajonin e Gjilanit është vërtuar një rast me një person të ndaluar për veprën penale “parandalim i ushtrimit të së drejtës për të votuar”.

Në rajonin e Mitrovicës ka dy raste me pesë persona të ndaluar, prej të cilëve dy për veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve” si dhe tre për veprën penale “pengimi i procesit të votimit”.

Në rajonin e Ferizajt, ndërkaq, është një rast me një person të ndaluar për veprën penale “pengimi i procesit të votimit”.