Përleshje ndërmjet protestuesve dhe policisë në Hong Kong

Hong Kong, foto nga arkivi.

Policia në Hong Kong ka përdorur topa uji, plumba gome dhe gaz lotsjellës, për të shpërndarë protestuesit, që sot kanë dalë në rrugët e Hong Kongut.

Në Hong Kong për më shumë se tre muaj janë duke u organizuar protesta anti-qeveritare.

Protestuesit sot kanë hedhur gjësende të forta në drejtim të policisë dhe autoritetet arrestuan disa persona.

Ende nuk është bërë e ditur se nëse ndokush është plagosur gjatë përleshjeve ndërmjet protestuesve dhe policisë.

Protesta më të mëdha pritet të organizohen më 1 tetor, në Ditën Kombëtare të Kinës, që shënon 70-vjetorin e themelimit të Republikës Popullore. Liderja e Hong Kongut, sipas autoriteteve, do të dalë në qytet për të festuar këtë ngjarje, pavarësisht protestës së paralajmëruar.

Protestat në Hong Kong nisën në qershor, për të kundërshtuar një ligj, i cili do të mundësonte që kriminelët të ekstradoheshin në Kinë. Pavarësisht se këtë ligj qeveria në Hong Kong e ka tërhequr, protestuesit tashmë kanë zgjeruar kërkesat e tyre, duke bërë thirrje për zgjedhje të drejtëprdrejta dhe llogaridhënie më të madhe nga policia.

Hong Kongu funksionon sipas organizimit “një shtet, dy sisteme”.