FFK: Ndeshja futbollistike e Kupës së Serbisë nuk do të zhvillohet në Kosovë

Stadiumi "Fadil Vokrri". Ilustrim.

Federata Ndërkombëtare e Futbollit – FIFA, ka inkurajuar Federatën e Futbollit të Kosovës – FFK, që të lejojë zhvillimin e ndeshjes futbollistike ndërmjet ekipeve Crvena Zvezda [Ylli i Kuq] nga Beogradi dhe Trepça nga Zveçani e planifikuar të zhvillohet me 5 tetor në veri të Kosovës.

Lajmin për shkresën e nënshkruar nga zëvendësi i Sekretarit të Përgjithshëm i FIFA-s, Mattias Grafstrom, e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu.

Ndeshja ndërmjet ekipeve Crvena Zvezda [Ylli i Kuq] dhe Trepça është e planifikuar të zhvillohet në kuadër të garave për Kupën e Serbisë në futboll, çka sipas Federatës së Futbollit të Kosovës është e paligjshme, sepse vetëm kjo e fundit mund të organizojë gara shtetërore brenda territorit të Kosovës.

Sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se Kosova është e vendosur që të mos lejojë që shteti serb të organizojë ndeshje sportive në Kosovë.

Ai tha se edhe kërkesa e dërguar nga FIFA-s është e paqartë.

"Shkresa ka ardhur dhe duhet të lexohet mirë për arsye se në fund të fundit ne kemi dërguar letër shpjeguese në UEFA dhe UEFA është kompetente dhe jo FIFA. Për çdo raste e kemi njoftuar FIFA-n dhe një person që më duket është papërvojë i ka shkruar FFK-së dhe ka thënë se e inkurajojmë. Do të thotë nuk ka kurrfarë obligimi sepse FFK-ka është anëtare me të drejta të plota dhe i vetmi organ që organizon gara të territorin e Republikës së Kosovës", tha Salihu.

Ekipi “Trepça” nga veriu i Kosovës bën pjesë në kuadër të Ligës së Serbisë në futboll, andaj edhe parashihet që ndeshjet si vendas me ekipet nga Serbia, t’i zhvillojë në territorin e Kosovës. Por, një mundësi të tillë e ka hedhur poshtë Federata e Futbollit e Kosovës.

"Do të thotë është një çështje shumë politike dhe jo sportive prandaj është absurde ajo letër dhe është keqinterpretuar nga pala serbe. Sepse edhe nuk ka kurrfarë fuqie as morale e lëre më ligjore", tha Salihu

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi kohë me parë u ka dërguar presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino dhe presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin një letër në lidhje me përfshirjen e siç thuhet, “të ashtuquajturit klub Trepça nga Mitrovica e Veriut”, në kategorinë e tretë të futbollit të Serbisë si dhe kërkesën për ndërhyrjen e këtyre dy institucioneve për ndalimin e çdo lloj gare të futbollit të Serbisë në territorin e shtetit të Kosovës.