Kryetari i Komitetit të Inteligjencës: Trump bëri "krim të organizuar klasik"

Adam Schiff

Adam Schiff, i cili kryeson Komitetin e Inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, i cilësoi veprimet e presidentit Donald Trump, të detajuara në ankesën e një informatori, si "krim i organizuar klasik".

Schiff i bëri komentet të enjten, teksa hapi një seancë dëgjimore për ushtruesin e detyrës së drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, Joseph Maguire.

Paraprakisht, Komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve publikoi një version të paklasifikuar dhe të redaktuar të ankesës, që informatori e ka ngritur tek inteligjenca, ditë më parë.

Në ankesë thuhet se Trump ka kërkuar ndihmë nga Ukraina që të ndërhyjë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, vitin e ardhshëm.

Trump e mohoi çdo keqbërje.

"A ka rrethana për fajësim? Absolutisht jo", tha Trump në një postim në Twitter.

Maguire tha në seancën dëgjimore se informatori "e ka bërë gjënë e duhur" me ngritjen e ankesës dhe se ai ka treguar "më shumë përkushtim për vendin dhe më shumë respekt për betimin e presidentit, sesa vetë presidenti".

Ankesa e informatorit është në qendër të hetimeve që po bën Dhoma e Përfaqësuesve - e kontrolluar nga demokratët - kundër presidentit Trump.

Demokratët synojnë ta nxjerrin çështjen e shkarkimit të presidentit në Senat.

Ankesa e informatorit përqendrohet rreth një bisede telefonike midis Trumpit dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, të zhvilluar më 25 korrik.

Informatori ka thënë se Trump i ka kërkuar Zelenskiyt të hetojë ish-nënpresidentin amerikan, Joe Biden, dhe djalin e tij për korrupsion.

Joe Biden mund të jetë rival i Trumpit në zgjedhjet e 2020-ës.

Të tjera në këtë temë: