Ndryshimet klimatike po dëmtojnë rëndë oqeanet në botë

Ilustrim.

Ndryshimet klimatike janë duke shkatërruar detet dhe rajonet e ngrira më shumë se kurrë më parë, është thënë në një raport të Kombeve të Bashkuara.

Sipas një paneli të shkencëtarëve të OKB-së, niveli i ujërave është duke u rritur, akulli po shkrihet dhe gjallesat janë duke ndryshuar ambient për shkak të aktiviteteve njerëzore.

Në raport po ashtu përmendet se humbja e zonave të akullit rrezikon lirimin e një sasie më të madhe të karbonit.

Mirëpo ekziston shpresa se ndikimet më të rënda mund të anashkalohen, nëse veprohet menjëherë në zvogëlim të emetimeve të karbonit.

Ky është raporti i tretë i prodhuar nga Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike në 12 muajt e fundit.

Më parë, shkencëtarët kanë analizuar se si mund të funksionojë bota nëse temperaturat rriten për 1.5 gradë Celsius deri në fund të këtij shekulli.

Ata po ashtu kanë raportuar se çfarë ndikimi mund të ketë ndryshimi klimatik në territoret tokësore.

Megjithatë, studimi i ri, që analizon ndikimin e rritjes së temperaturave në oqeane dhe rajone të ngrira, mund të jetë më shqetësuesi nga tri publikimet.