Demokratët në Shtetet e Bashkuara kanë nisur procedurat për shkarkimine presidentit amerikan, Donald Trump.
Vendimi pasoi raportet se presidenti Trump gjatë një telefonate në korrik me presidentin e Ukrainës, Volodomyr Zelenskyi, kishte kërkuar nga ai hetim të plotë mbi ish-nënpresidentin dhe kandidatin për president në zgjedhjet e ardhshme në SHBA, Joe Biden dhe djalit të tij Hunter. Ai madje thuhet ta ketë kushtëzuar këtë kërkesë të tijën, me tërheqjen e mbështetjes financiare për ushtrinë e Ukrainës.
Presidenti, Donald Trump ka thënë se thirrja telefonike e 25 korrikut ishte "shumë miqësore" dhe se ai nuk bëri "presion" ndaj Zelenskiyt.
Çka është procedura e shkarkimit (Impeachment)?
Kushtetuta amerikane e lejon Kongresin të largojë nga detyra presidentët para se mandati i tyre të përfundojë, nëse shumica e ligjvënësve votojnë duke thënë se presidenti ka kryer "tradhëti, ka marrë ryshfet, ka bërë shkelje të rëndë ose keqbërje tjera".
Deri më tani vetëm dy presidentë kanë kaluar në këtë procedurë - Andrew Johnson më 1868 dhe Bill Clinton më 1998 - dhe të dy u liruan përfundimisht dhe përfunduan mandatin e tyre. Ish-presidenti, Richard M. Nixon, dha dorëheqjen më 1974, për t’iu shmangur procedurës së shkarkimit.
Çfarë konsiderohet si shkelje e rëndë dhe keqbërje?
Termi “shkelje të rënda dhe keqbërje” vjen nga tradita ligjore britanike, një lloj i veprës penale, të cilën parlamenti britanik e ka cituar me rastin e largimit të zyrtarëve të kurorës për shekuj me rradhë.
Në thelb, kjo nënkupton abuzim me pushtetin nga një zyrtar publik i nivelit të lartë dhe jo domosdoshmërisht nënkpton shkelje të një ligji të zakonshëm penal.
SHIKONI EDHE: Trump e pranon se ka biseduar për Bidenin me presidentin ukrainasNë vitin 1788, pasi hartuesit e Kushtetutës po i nxisnin shtetet të ratifikonin dokumentin, Alexander Hamilton (njëri ndër themeluesit e SHBA-së) i përshkroi këto vepra në një prej Gazetave Federale si "vepra që rrjedhin nga sjellja e gabuar e personave publikë, ose, me fjalë të tjera, abuzim ose shkelje e besimit të publikut". Ato janë të një natyre që mund të emërtohen si “politike”, pasi lidhen kryesisht me dëmtimet e bëra për vetë shoqërinë.
Si zhvillohet procesi?
Si në rastin e Nixonit, ashtu edhe në atë të Clintonit, Komiteti për Drejtësi i Kongresit, zhvilloi një hetim dhe i rekomandoi gjetjet për procedurën e shkarkimit në Dhomën e Përfaqësuesve.
Në teori, megjithatë, Dhoma e Përfaqësuesve mund të krijojë një panel të posaçëm për të trajtuar procedurat, ose mund të hedhë në votim gjetjet pa formuar një komision të posaçëm. Nëse Dhoma e Përfaqësuesve voton me shumicë duke e shpallur fajtor presidentin, atëherë kjo esencialisht është e barazavlefshme me të qenurit i akuzuar.
Më pas procedura kalon në Senat, i cili e zhvillon një proces gjyqësor të mbikëqyrur nga kryetari-ja i/e Gjykatës Supreme.
Një ekip ligjvënësish nga Dhoma e Përfaqësuesve, luajnë rolin e prokurorëve. Presidenti ka avokatë mbrojtës dhe Senati shërben si juri.
Nëse të paktën dy të tretat e senatorëve e konsiderojnë presidentin fajtor, ai shkarkohet, dhe nënpresidenti merr përsipër detyrën e presidentit. Ndaj këtij vendimi nuk mund të bëhet ankesë.
Si e fillon Dhoma e Përfaqësueve procedurën e shkarkimit?
Kjo ka qenë një çështje që ka ngjallur mosmarrëveshje. Gjatë përpjekjeve për fajësim të Nixonit dhe Clintonit, Dhoma e Përfaqësuesve votoi rezolutat që e urdhëronin Komitetin për Drejtësi të fillonte hetimet. Por, nuk është e qartë nëse ky veprim është domosdo i nevojshëm, sepse procedurat e fajësimit ndaj zyrtarëve të tjerë, si në rastin e një ish gjyqtari federal më 1989, filluan në nivel të Komitetit.
Zonja Pelosi në njoftimin e saj nuk tha se synonte të sillte ndonjë rezolutë para ligjvënësve. Pavarësisht dallimeve nëse duhet ose jo një rezolutë e Dhomës së Përfaqësuesve për të nisur hetimin, numri i demokratëve që mbështesin një të tillë, kohët e fundit është në rritje.
Nëse çështja Trump arrin deri në Senat, atëherë ligjëvënësit republikanë që përbëjnë shumicën, mund të votojnë për të hedhur poshtë menjëherë akuzat kundër Trumpit pa marrë parasysh provat.
Cilat janë kushtet e shkarkimit?
Kushtetuta amerikane nuk e specifikon shumë, duke e bërë fajësimin dhe shkarkimin më shumë një çështje të vullnetit politik se sa subjekt të një analize ligjore.
Për shembull, Kushtetuta nuk detajon se si ligjvënësit mund të zgjedhin të interpretojnë atë që bën apo nuk përbën "tradhëti, ryshfet, apo shkelje të rënda".
Pse u përfshi në Kushtetutë procedura e shkarkimit të presidentit?
Themeluesit e Shteteve të Bashkuara krijuan zyrën e presidencës dhe kishin frikë se fuqitë e saj mund të keqpërdoren. Kështu që, ata përfshinë në Kushtetutën e SHBA-së, një procedurë për shkarkimin e një presidenti nga detyra. Sipas Kushtetutës, presidenti mund të shkarkohet nga detyra për "tradhti, ryshfet, shkelje të rënda dhe keqbërje tjera".
Por, se çfarë përbën “shkelje të rëndë” është e paqartë. Historikisht, ato mund të përfshijnë korrupsionin dhe abuzimet e tjera të besimit të publikut.
Një president nuk ka nevojë të ketë shkelur një ligj specifik penal për të kryer një shkelje të rëndë. Shumë analistë ligjorë kanë thënë se presioni ndaj një lideri të huaj për të ndërhyrë në zgjedhjet e SHBA-së është lloj sjelljeje që themeluesit e kombit do ta konsideronin një vepër të pafalshme.
* Bazuar në raportimet nga Reuters dhe New York Times