Shkencëtarët e Kombeve të Bashkuara për klimën kanë publikuar një raport të dielën duke treguar se në vitet e fundit, rritja e nivelit të detit, ngrohja e planetit, shkrirja e akullit dhe ndotja me karbon janë përshpejtuar.
Ata kanë publikuar këto të dhëna para nisjes së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të Nju Jork, me qëllim të bërjes thirrje të liderëve botërorë për të marrë masa.
Raporti, që i plotë pritet të publikohet në Samitin e OKB-së për Klimën, thekson rritjen e hapësirës në mes të synimeve për të luftuar ngrohjen globale dhe realitetit aktual.
Gjermania do t'i vendosë çmim emetimit të karbonit
Në mesin e të gjeturave përmendet se shkrirja e akullit dhe rritja e nivelit të detit, bashkë me temperaturat ekstreme, janë rezultat i rritjes së temperaturës globale për 1.1 gradë Celsius.
Aty theksohet nevoja urgjente për transformime shoqërore dhe ekonomike dhe marrje të masave për kufizim të emetimit të karbonit.
Të dhënat e përpiluara nga ekspertë të OKB-së për klimën, vijnë jo vetëm pak para nisjes së Asamblesë së OKB-së, por edhe pas “grevës globale për klimën” që është mbajtur javën e kaluar.
Miliona nxënës e studentë në gjithë botën kanë kërkuar marrje të masave nga politikanë dhe kompani të mëdha, për atë që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres e ka konsideruar “emergjencë klimatike”.