Christine Lagarde merr mbështetjen e PE-së për të drejtuar Bankën Qendrore Evropiane

Christine Lagarde

Parlamenti Evropian mbështeti emërimin e Christine Lagarde si presidente e ardhshme e Bankës Qendrore Evropiane.

Ky votim i hap rrugën asaj që të bëhet gruaja e parë që mban këtë post.

Ligjvënësit votuan 394 për, 206 kundër dhe me 49 abstenime në seancën e parlamentit në Strasburg.

"Christine Lagarde është një zgjedhje e shkëlqyeshme", tha para votimit, Ludek Niedermayer, një ligjvënës i krahut të djathtë.

Lagarde nuk ishte e pranishme në seancë, pavarësisht ftesës për të marrë pjesë.

Lagarde ka drejtuar më parë Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Udhëheqësit e BE-së do të formalizojnë emërimin e saj për një mandat tetë vjeçar në një samit të rregullt në mes të muajit tetor.