Bashkimi Evropian ka vendosur të dërgojë mision vëzhgues për të monitoruar zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë.
Shefja për politikë të jashtme e BE-së, Federica Mogherini, emëroi Viola von Cramon-Taubadelin shefe të këtij misioni.
Mogherini tha se ky hap riafirmon përkushtimin e vazhdueshëm të BE-së për të mbështetur proceset demokratike në Kosovë.
"Të gjitha palët dhe komunitetet e interesuara duhet të jenë të angazhuara në këtë proces dhe të kontribuojnë në të ardhmen e Kosovës. Këto zgjedhje zhvillohen në një moment të rëndësishëm për Kosovën, e cila duhet të bëjë përparim në rrugën evropiane, si në reforma, ashtu edhe në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë", tha Mogherini.
Vendimi i BE-së për të dërguar mision monitorimi vjen pas thirrjes së bërë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tek institucionet e Brukselit.
Zgjedhjet në Kosovë do të mbahen më 6 tetor.
Ato janë thirrur pasi kryeministri Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga posti, në muajin korrik.
Lexoni edhe këtë: Ambasada amerikane kritikon listat zgjedhore me individë të akuzuar