Trump e shkarkon Këshilltarin për Siguri Kombëtare John Bolton

John Bolton

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se e ka shkarkuar Këshilltarin për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Bolton.

“E kam njoftuar, John Bolton mbrëmë se shërbimet e tij nuk janë më të nevojshme në Shtëpinë e Bardhë. Unë nuk jam pajtuar me shumë sugjerime të tij, ashtu si edhe të tjerët në administratë”, ka shkruar Trump.

Shkarkimi i tij vjen pas raportimeve për mospajtime në kabinetin Trump mbi një plan të anuluar për të ftuar talibanët në SHBA, si pjesë e diskutimeve për një plan paqeje për Afganistanin.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham u tha gazetarëve se "Presidenti (Donald Trump) nuk i kanë pëlqyer shumë politikat e tij (John Boltonit), ata kanë pasur mospajtime"

Përmes një postimi në Twitter, Bolton ka thënë se "unë ofrova dorëheqjen mbrëmë por presidenti Trump më tha: Le të flasim për këtë nesër".

Ndërkohë, presidenti Trump ka bërë të ditur se javën e ardhshme do të emërojë Këshilltarin e ri për Siguri Kombëtare.