Ligji për përdorimin e gjuhëve nën llupë të Komisionit të Venedikut

Shkup - Foto nga arkivi

Rekomandimet që do të shpreh Komisioni i Venedikut do të ndihmojnë në shmangien e dallimeve mes partive politike rreth Ligjit që rregullon çështjen e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, theksojnë ekspertët në këtë lëmi.

Gjatë kësaj jave, ekspertë të Komisionit të Venedikut kanë realizuar takime të drejtpërdrejta me të gjithë përfaqësuesit e partive politike parlamentare pas çka pritet të dalin me sugjerime konkrete rreth ligjit në fjalë.

Arsim Sinani nga Qendra për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike, për Radion Evropa e Lirë thekson se Ligji për përdorimin e gjuhëve duhet të përcaktojë saktë gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare sepse në asnjë vend të Bashkimit Evropian pjesë e së cilës familje evropiane mëton të bëhet dhe Maqedonia e Veriut si shtet, gjuhët nuk janë të përcaktuara si çështje procedurale, siç është definuar gjuha shqipe e cila në Ligjin për përdorimin e gjuhëve, përcaktohet si gjuhë që e flasin 20 për qind e popullatës në vend.

“Unë pres që Komisioni i Venedikut të jap vërejtjet e veta në drejtim që gjuha shqipe të përcaktohet qartë si gjuhë e dytë gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, për shkak se me këtë ligj për përdorimin e gjuhëve që kemi, aktualisht cungohet përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe".

"Nuk mendoj se Maqedonia e Veriut mund të hap bisedimet për anëtarësimin e vendit në BE duke penguar që gjuha shqipe të jetë e barabartë me gjuhën maqedonase, për shkak se shumë shtete të zhvilluara të Bashkimit Evropian kanë në përdorim më shumë se dy gjuhë zyrtare dhe kjo nuk është pengesë apo cenon integritetin për ndonjërin nga komunitetet, por është një pasuri dhe në këtë mënyrë duhet të shikohet”, thotë Sinani.

Nga ana tjetër, Besa Arifi, ligjëruese në Fakultetin Juridik në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë për Radion Evropa e Lirë thotë se vërejtjet e Komisionit të Venedikut do të paraqesin dhe një shtytje për jetësimin e ligjit të gjuhëve në çdo pore të shoqërisë duke flakur të gjitha dilemat për çështje të caktuara.

“Është me shumë rëndësi që të merren parasysh të gjitha vërejtjet që do të shpreh Komisioni i Venedikut, të cilat do ta ndihmonin shumë jetësimin praktik të Ligjit për përdorimin e gjuhëve si dhe zbatimin e të gjitha procedurave dhe zgjidhjeve ligjore të parapara në kuadër të Ligjit për përdorimin e gjuhëve".

"Kështu që besoj se ky hap (rekomandimet që do të dalin nga Komisioni i Venedikut) do të përshpejtojnë zbatimin praktik të këtij ligji që është shumë i rëndësishëm për vendin tonë”, thotë Arifi.