Facebook përballet me hetime rreth konkurrencës

Ilustrim

Facebook është nën hetime në Shtetet e Bashkuara për të përcaktuar nëse ky rrjet social "e ka mbytur konkurrencën dhe i ka vënë përdoruesit në rrezik".

Lajmi u bë i ditur nga prokurorja e përgjithshme e shtetit të Nju Jorkut, Letitia James, në emër të një koalicioni të përfaqësuesve nga disa shtete.

"Edhe platforma më e madhe e mediave sociale në botë duhet të ndjekë ligjin dhe të respektojë konsumatorët", tha James.

Facebook tha se njerëzit kanë "zgjedhje të shumta" kur bëhet fjalë për përdorimin e shërbimeve online.

"Nëse ne ndalojmë inovacionin, njerëzit mund ta lënë lehtë platformën tonë. Kjo nënvizon konkurrencën me të cilën përballemi, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por në të gjithë globin", tha Will Castleberry, nënkryetar i Facebook-ut për politikën shtetërore dhe lokale.

Zyrtarët shtetërorë në Kolorado, Florida, Ajoa, Nebraska, Karolinë e Veriut, Ohajo dhe Tenezi janë pjesë e hetimit, ashtu si dhe Rrethi i Kolumbisë.

"Do të përdorim çdo mjet hetimor që kemi në dispozicion për të përcaktuar nëse veprimet e Facebook-ut mund të kenë rrezikuar të dhënat e konsumatorëve, të kenë zvogëluar cilësinë e zgjedhjeve të konsumatorëve ose të kenë rritur çmimin e reklamave", tha James.

Facebook tashmë po përballet edhe me një hetim rreth konkurrencës nga Komisioni Federal i Tregtisë i SHBA-së.