Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, ka thënë se është i shqetësuar për thashethemet se disa parti politike tashmë kanë nisur që përmes frikësimit dhe taktikave të fshehta që të zvogëlojnë garën për zgjedhjet parlamentare në Kosovë.
Përmes një postimi në rrjetin social, Twitter, ai iu ka bërë thirrje banorëve të Kosovës që të ngrisin zërin.
“Për popullin e Kosovës: nëse shihni dikë që dëmton demokracinë tuaj, ngrisni zërin”, ka shtuar Kosnett.
Deklarata e tij vjen pas një dokumenti të lëshuar nga vendet e Qunt-it, (Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia), të cilat kanë thënë se presin nga të gjitha partitë politike të krijojnë një ambient të drejtë të garës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen në 6 tetor në Kosovë.
Në deklaratën e tyre të përbashkët është thënë edhe se Kosova ka nevojë për sundim të ligjit andaj kandidatët nuk duhet të kenë të kaluar kriminale ashtu që të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Lexoni deklaratën e vendeve të Qunt-it
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë rezultat i dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës në korrik të këtij viti.
Ai ka thënë të ketë marrë këtë vendim pas ftesës që i është bërë nga Gjykata Speciale, me seli në Hagë, për të dëshmuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.