Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se ministri i Jashtëm i Spanjës, Josep Borrell e mbështet qëndrimin e Spanjës kundër pavarësisë së Kosovës.
Bërnabiq i bëri komentet gjatë një vizite në qytetin Santander të Spanjës.
Sipas Bërnabiqit, Borrell, i cili është kandidat për shef të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, “do të ketë një qëndrim të balancuar dhe objektiv”, derisa një nga prioritetet e tij do të jetë çështja e Kosovës.
“Qëndrimi i BE-së ndaj pavarësisë së Kosovës është neutral. Ajo nuk ka qëndrim spese nuk ka konsensus. Ka anëtarë që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ka që nuk e kanë njohur”, tha Bërnabiq, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Çfarë mund të thotë emërimi i Borrellit për dialogun Kosovë-Serbi?
Bërnabiq po ashtu tha se Borrell ka tërhequr vëmendjen “për dy gjëra të rëndësishme”: që BE-ja është garantuese e marrëveshjes së Brukselit (v.j. midis Kosovës dhe Serbisë) dhe që Kosova me taksën ndaj mallrave të importuara nga Serbia shkel direkt Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.
Spanja së bashku me Rumaninë, Greqinë, Sllovakinë, dhe Qipron janë pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e njohin ende pavarësinë e Kosovës të shpallur në shkurt të vitit 2008.