Prokurorja speciale, Katica Janeva është ndaluar nga policia maqedonase si e dyshuar për rastin “Reket”, ka bërë të ditur Prokurori Publik, Lubomir Jovevski.
Organi i akuzës kërkon masën e paraburgimit për Prokuroren Speciale Katica Janeva, e cila në mesditë u shoqërua në stacion policor nga forca të shumta policore.
Prokurori Jovevski tha se Janeva dyshohet të ketë shpërdorur detyrën zyrtare në skandalin e zhvatjes së 1.5 milion euro të një afaristi, nga dy persona të afërt me kreun e speciales.
Bojan Jovanovski dhe Zoran Mileski dy personat që shihen në incizim duke marrë paratë, i premtojnë afarstit, Orce Kamçev se në bashkëpunim me Katica Janevën do t’i lehtësojnë atij procesin gjyqësor në një aferë tjetër korruptive.
Gjykata Penale duhet të vendosë mbi kërkesën e prokurororisë për paraburgosjen e Janevës.
Prokurorja speciale, Katica Janeva të martën ka dëshmuar para Prokurorisë lidhur me këtë rast ka deklaruar se argumentet e saja do të ndihmojnë në hetimin e shpejt të rastit.
Ky skandal ka shkaktuar përplasje të shumta mes partive politike për atë nëse ka ose jo të përfshirë edhe politikanë.